Connect with us

Aktualitet

44 milion lekë të ardhura nga qiraja për 5 vite dhe 50 mijë euro dhuratë pas martese; KPK shkarkon nga detyra prokurorin Stoja

Published

on

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Korçës, Gentian Stoja.

Trupa gjykuese që po kryen procesin e tij të vetingut përbëhej nga Olsi Komici, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari.

Stoja ka pasur probleme me deklarimin e pasurisë. Gentian Stoja e ka nisur karrierën në vitin 2000 si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai është emëruar prokuror në vitin 2009 dhe prej asaj kohe ka vazhduar ta ushtrojë funksionin pranë Prokurorisë së Rrethit Korçë.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, Stoja deklaronte pasuri me vlerë 262 mijë lekë, ndërsa në fund të vitit 2015, pasuria familjare kap vlerën e 11.3 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2015, prokurori Stoja zotëronte familjarisht një apartament me vlerë 2.8 milionë lekë në qytetin e Korçës, likujditete në cash prej 7.5 milionë lekësh, një automjet me vlerë 700 mijë lekë dhe likujditete bankare prej 260 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 19.4 milionë lekë, nga të cilat 50% burojnë nga dhuratat e bëra nga familjarët, 40% nga paga e Z. Stoja, rreth 6% të ardhura nga qiratë dhe 1.8% nga shitja e pasurisë së luajtshme.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 8 vite të deklarimit, njëra prej deklaratave rezultoi me probleme.

Subjekti Gentian Stoja ka një ndërprerje të deklarimeve nga viti 2004 deri në vitin 2009. Në deklaratën fillestare të vitit 2009, subjekti deklaron të ketë kursime në cash me vlerë  15,000 euro, ndërsa bashkëshortja e tij deklaron kursime nga prindërit nga të ardhurat e qirasë së një apartamenti në vlerën 4,444,000 lekë si dhe  50,000 euro të dhuruara nga prindërit dhe motra në formë cash me rastin e martesës.

Në vitin 2011, subjekti deklaron shtesë apartament banimi, i fituar me kontratë dhurimi nga prindërit me vlerë 2.8 milionë lekë.