Connect with us

Lajme

6 ide se ku mund të shkoni këtë verë per pushime në Shqipëri

Published

on

Shqipëria është një thesar i pazbuluar, them i pazbuluar sepse për shkak të infrastrukturës së munguar me shekuj dhe për shkak të pamundësisë gjatë kohës së monizmit, ne e njohim pak ose pothuajsë aspak vendin tonë.

 

Duket sikur Shqipëria është gjithmonë opsioni i dytë – ndonëse pak i kushtueshëm- kur bëjmë plane për pushimet verore. Prandaj duke parë që pandemia na ka pamundësuar lëvizjen jashtë kufijve zyrtarë, ktheni kokën nga plazhet dhe malet tona dhe do të zbuloni mrekulli, që nga peisazhi e deri te ushqimi.

 

 

Voskopoja ( turizëm malor) Natyra, arti dhe historia ndërthuren me njëra-tjetrën në Voskopojë, duke e bërë nje destinacion turistik përgjatë gjithë vitit. Voskopoja ka qënë qendër e rëndësishme kulturore që në vitin 1330 dhe me kalimin e viteve ajo u pasurua me 24 kisha, Akademinë dhe shtypshkronjën e dytë të Perandorisë Osmane. Nga ajo lavdi e së shkuarës, sot mund të admirohen Manastiri i Shën Prodhromit, Kisha katedrale “Fjetja e Shën Marisë”, Kisha e Shën Athanasit, Kisha e Shën Kollit, Kisha e Shën Gjergjit, dhe shumë objekte të tjera që mbartin vlera të larta arkitekturore, kulturore e fetare. Vetëm 21 km larg Korçës, në Voskopojë do të gjeni hotele cilësore dhe restorante tradicionale që do e bëjnë akoma më të pëlqyeshëm qëndrimin tuaj aty.

 

 

Parku Kombëtar detar, Karaburun-Sazan Parku detar Karaburun-Sazan është nga zonat më të bukura në Adriatik dhe Jon. Me vende të mrekullueshme dhe oaze natyrore, ofrom peizazhe natyrore ndër më uniket në Mesdhe. Parku ka një shtrije detare rreth 1.9 km përgjatë bregdetit të gadishullit të Karaburunit dhe Sazanit afër Gjirit të Vlorës. Është i rëndësishmë sepse është shtëpia e specieve detare me rëndësi ndërkombëtare dhe mes tyre mund të përmendim breshkën e detit, fokën e mesdheut, delfinët dhe peshkaqenin. Përtej bukurive natyrore, Karaburuni është i njohur për praninë e artefakteve arkeologjike të zhytura apo braktisura, të cilat vërtetojnë se kjo zonë ka qënë që në lashtësi një rrugë tregtare. Amforat bizantine, statujat e bronzit dhe monedhat e vjetra, sjellin një përzierje të përsosur midis arkeologjisë dhe natyrës.

 

 

Rana e hedhun Megjithëse Shqipëria ka një sipërfaqe të vogël krahasuar me simotrat e saj me dalje në Adriatik e Jon, vija e saj bregdetare ofron një shumllojshmëri plazhesh dhe peizazhesh për t’u pasur zili. I tillë është bregdeti vetëm 3-4 kilometra larg Shëngjinit, i njohur nga vendasit e tashmë edhe nga turistët me emrin “Rana e Hedhun”. Vetë natyra bujare dhe plotë fantazi e ka krijuar këtë vend dhe si një dorë misterioze, ka lëshuar rërën në mënyrë të shkujdesur. Nuk kuptohet se nga nis gjithë ky brez ranor prej pak kilometrash, herë duket sikur zbret nga mali e herë sikur grimcohet nga bregu i lagur. Pemët aty pranë të bëjnë hije në këtë plazh ideal për kamping, piknik në stinët e freskëta, apo për të thithur rrezet e diellit bujar të verës shqiptare.

 

 

Lumi i Shalës Lumi i Shalës, me gjatësi 37km, buron nga maja e Radohinës, mes Alpeve shqiptare, që ndryshe njihen me emrin Bjeshkët e Namuna. Lumi rrjedh dhe derdhet në Liqenin e Komanit, një tjetër destinacion i preferuar. Për shkak të kësaj afërsie në fakt, këto dy vende janë të lidhur me tragetë të shpeshta. Lumi i Shalës është pagëzuar tashmë si “Tajlanda shqiptare”për shkak të pastërtisë së ujit ngjyrë smeraldi, prandaj për këtë arsye një kredhje në lumë është një kënaqësi e detyruar. Pjesa më e madhe e tureve në Lumin e Shalës janë të përfshira në paketa të cilat ofrojnë qendrim në bujtinat e zonës. Prandaj kujdesuni për qëndrimin tuaj para se të planifikoni një udhëtim drejt Lumit të Shalës.

 

 

Malësia e Kelmendit Në skajin më verior të alpeve shqiptare ndodhet Malësia e Kelmendit që përfshin fshatrat e bukur të Vermoshit, Lepushës,Tamarës, etj. Ato mund të arrihen nëpërmjet një itinerari skenik, plot kthesa e xhepa që zbulon panorama mahnitëse. Nëse ju pëlqën mitologjia shqiptare dhe Eposi i Kreshnikëve, ju duhet medoemos të shikoni pamjet spektakulare të këtyre majave të pjerrta. Padyshim që në këto destinacione, ecja ose ngjitja nëpër male janë eksperienca unike. Shpella, kanione, ujëvara, lumenj, burime, pllaja, duket sikur koha është ndalur në një tjetër epokë, që duhet patjetër vizituar. Folklori origjinal, mikpritja, arkitektura, jeta e fshatit dhe ushqimet karakteristike do ju bëjnë të mos a doni më jetën në qytet.

Nga: Zhaklin Lekatari