Connect with us

Aktualitet

Bllokimi i patentave dhe gjobat, hiqen komisionet, si do merren vendimet tani

Published

on

Që nga dita e djeshme, radhët dhe orët e pritjes përballë zyrave të OASH-së në Policinë Rrugore, apo të njohura ndryshe si “Komisioni”, duket se do të marrin fund njëherë e mirë. Drejtuesit e mjeteve, të konstatuar me shkelje gjatë qarkullimit rrugor, mund t’i paraqesin pretendimet apo dokumentacionin online, përmes portalit qeveritar ealbania. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe drejtues të Policisë së Shtetit inspektuan nga afër punën e OASH-së në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë. Gjatë fjalës së tij, Lleshaj tha se qëllimi i kësaj mase është që të eliminohet detyrimi i qytetarëve për t’u paraqitur në zyra.

 

“Nga sot, qytetarët, ata që kanë bërë shkelje të rregullave të qarkullimit, kanë të drejtën që të gjithë dokumentacionin që duan t’i paraqesin OASH-së, t’ia paraqesin online, përmes e-albania, dhe të kursejnë ardhjen, pritjen dhe humbjen e kohës pranë këtyre zyrave”, u shpreh dje Lleshaj.

 

Sipas tij, lehtësimi i shërbimeve për qytetarët në të njëjtën kohë është edhe një lloj shtrëngese për ata që shkelin rregullat për arsye se tashmë mundësia e kontaktit bëhet zero. Pra, nuk kanë mundësi të “negociojnë” me asnjë lloj Komisioni.

 

KUNDËRVAJTJET NË PORTALIN E-ALBANIA

 

Shërbimi elektronik “Kundërvajtje rrugore OASH” u mundëson kundërvajtësve, të cilët nuk dëshirojnë të paraqiten fizikisht pranë Organeve Administrative Shtetërore dhe kërkojnë që vendimi për kundërvajtjen e tyre të merret në mungesë si dhe informacioni të transmetohet në format dixhital elektronik nëpërmjet llogarisë së tyre në portalin e-albania.

 

Patrulla e Policisë rrugore konstaton kundërvajtjet rrugore, të cilat janë objekt i shqyrtimit nga ana e Organeve Administrative Shtetërore, që funksionojnë në çdo Drejtori Vendore të Policisë. Kundërvajtësi mund të kërkojë duke shënuar në procesverbalin e konstatimit, që kjo kundërvajtje të shqyrtohet në mungesë duke kryer shënimin përkatës në procesverbal.

 

Sipas procedurave administrative të përshkruara në legjislacionin rrugor, brenda afateve ligjore kjo kundërvajtje shqyrtohet dhe i dërgohet online në llogarinë e kundërvajtësit në portalin e-albania. Nëse kundërvajtësi kërkon që shqyrtimi në mungesë të kryhet, ai mund të njoftojë nëpërmjet portalit e-albania, OASH respektivem duke klikuar dhe duke ngarkuar edhe dokumente shtesë, të cilat i dërgohen të skanuara OASHsë respektive.

 

Brenda një afati të përcaktuar prioritarë, OASH merr vendimin sipas akteve dhe normave të sjelljes dhe vendimi bëhet i lexueshëm dhe i shkarkueshëm në llogarinë e kundërvajtësit.