Connect with us

Bota

12 vjeçarja martohet dy herë brenda muajit. Burri i parë e “pagoi” me katër lopë

Published

on

Një vajzë 12-vjeçare është shpëtuar nga autoritetet në Kenia pasi ajo ishte martuar me dy burra brenda një muaji. Babai i vajzës, në Qarkun Narok në perëndim të kryeqytetit Nairobi, e detyroi atë të martohej me një burrë 51-vjeçar.

 

Ajo refuzoi dhe më pas u martua me një 35-vjeçar para se të shpëtohej nga një fushatë për të drejtat e fëmijëve nga zyrtarët qeveritarë. Në Kenia, martesa me dikë që është nën 18 vjeç është krim.

 

“Babai ia dha dorën burrit të moshuar për t’u martuar. Ajo nuk kishte mundësi tjetër sesa të martohej me burrin më të ri,” tha Joshua Kaputah nga Shoqata e Paqes në Qarkun Narok për BBC.

 

Kaputah shtoi se varfëria dhe mbyllja e shkollave për shkak të pandemisë kanë luajtur një rol në rritjen e rasteve të martesave në mesin e fëmijëve.

 

“Disa familje janë të uritura dhe dhënia e dy ose tre lopëve si pajë është mjaft joshëse,” tha ai.

 

Gazeta “Standard” në Kenja raporton se pasi dhëndri i parë ofroi katër lopë si pajë, vajza protestoi kundër martesës, por më pas u rrah nga kushërinjtë e saj meshkuj.

 

“Unë shpëtova dhe duke qenë se nuk mund të kthehesha në shtëpinë e babait tim nga frika se mos qortohesha, zgjodha një burrë 35-vjeçar, i cili ishte i martuar”, citohet ajo të ketë thënë.

 

Kaputah tha se babai i vajzës më pas e kishte gjetur atë dhe e kishte çuar përsëri te 51-vjeçari.

Policia është në kërkim të babait dhe dy burrave që ishin martuar me vajzën.

 

Nëse dënohen, ata mund të dërgohen në burg deri në pesë vjet ose të gjobiten deri në 1 milion shilinga keniane (8,000- 10,000 dollarë).

 

Martesa me vajza të mitura ka qenë shqetësuese në mesin e komunitetit Maasai që banojnë në Qarkun Narok, thotë Peter Mwai për BBC në Nairobi.

 

Ai shton se vajzat Maasai kanë tendencë të konsiderohen nga burrat përgjegjës për familjet si pasuri dhe janë martuar me një burrë të zgjedhur nga babai në këmbim të bagëtive.