Connect with us

Bota

Studimi kinez për Covid-19: Si një grua asimptomatike infektoi 71 persona të tjerë nëpërmjet ashensorit

Published

on

Një studim i ri në Kinë ka treguar se si një grua e prekur me Covid-19, por pa simptoma, infektoi 71 persona të tjerë.

 

Gruaja e quajtur me emrin pacientja A0 në studim, kishte mbërritur në provincën Heilongjiang të Kinës, nga Shtetet e Bashkuara më 19 mars. Ajo iu nënshtrua një tamponi dhe doli negative, dhe u fut në karantinë, por bëri një gabim: përdori ashensorin.

 

Një fqinj i saj i quajtur me emrin pacienti B1.1 në studim, përdori gjithashtu ashensorin, duke u infektuar me Covid-19, por pa e kuptuar diçka të tillë. Nëna e tij dhe një i afërm tjetër e kaluan natën te shtëpia e tij, por dhe ato u infektuan, nëpërmjet tij.

 

Në studim, thuhet se më pas këta persona takuan të tjerë të afërm të tyre, duke i infektuar dhe ata. Një prej tyre i quajtur pacienti C1.1 pësoi atak kardiak dhe u shtrua në spital, ku infektoi infermierë e mjekë.

 

Gjithçka u kuptua pasi atij iu krye tamponi dhe rezultoi pozitiv, e më pas u krye hetimi epidemiologjik i cili shërbeu edhe për këtë studim.

 

 

Por, pacienti C1.1 kishte qenë i shtruar edhe më parë në një spital tjetër, dhe aty u infektuan personel mjekësor.

 

Më 9 prill, autoritetet zbuluan se gruaja, pacientja A0, e cila u kthye nga Shtetet e Bashkuara më 19 mars, ishte pozitive me Covid-19 pasi iu nënshtrua një tamponi tjetër, dhe mësuan se pacienti B1.1 u infektua përmes sipërfaqeve të ashensorit.

 

Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve sekuencoi tërë gjenomin e 21 mostrave, analiza e rezultateve zbuloi se virusi kishte origjinën jashtë vendit dhe se pacientja A0,  asimptomatike, ishte shkaku i infeksionit të të gjithë personave. Prandaj, një person i vetëm ishte në gjendje të infektonte 71 persona pa e kuptuar atë.

 

“Rezultatet tona tregojnë se si një infeksion i vetëm covid asimptomatik mund të shkaktojë një transmetim të gjerë në një komunitet”, thuhet në studim. Studimi u zhvillua nga shkencëtarët Liu J, Huang J, Xiang D.

 

Kjo është arsyeja pse masat e vazhdueshme për të mbrojtur dhe izoluar njerëzit e infektuar janë thelbësore për të lehtësuar dhe përmbajtur pandeminë e Covid-19.