Presidentja e Federatës së Motoçiklizmit, Julinda Dhame shprehet se për të familja nuk ka qenë asnjëherë mbështetje, madje ajo thotë se prindërve të saj u vinte turp që vajza e tyre punonte vetëm me meshkuj.
“Mua prindërit nuk më kanë mbështetur asnjëherë. As nuk më kanë ndihmuar, përkundrazi u ka ardhur turp prej meje sepse unë duhet të punoja vetëm me meshkuj dhe pse mos të isha unë një grua normale që kisha një burrë, të kisha fëmijë, të kisha një punë vetëm 8 orë edhe të isha një familje normale, ndërkohë unë kam bërë të kundërtën që kanë dashur ata edhe tani vonë kanë kuptuar që unë jam ndryshe nga tjerët, domethënë në kuptimin jam ndryshe nga ata edhe ata më duan kshu siç jam. Janë qetësuar shumë, tani janë shumë krenar për mua edhe janë bërë krenar kur i thonë njerëzit që sa mirë Juli ka bërë këtë gjë po atë.
Edhe sot e kësaj dite nuk kam pasur një bisedë të tillë që të thosha ja si erdhi jeta dhe unë u bëra kshu si u bëra vetëm në një farë mënyre. Unë babain tim për shembull për punët e mia, për biznesin personal po e kam pasur mbështetje financiare, por përsa i përket rally jo”- tregon Dhame.
Më tej Dhame shprehet se nuk ka pyetur shumë për mentalitetin e njerëzve edhe pse ka pasur shumë momente që është rrëzuar në jetë.
“Ne nuk duhet të ndryshojnë identitetin secili nga ne jo vetëm ta shijojmë dhe nga kjo duhet të fitojmë. Atë që kemi brenda nesh, ajo na bën që të ecim përpara. Mua më ka bërë më shumë të ndjeshme kjo lloj pune dhe më ka bërë që të edukoi njerëzit për pjesën e guximit. Duhet të guxosh edhe pse mund të humbësh apo mund të vritesh. Nga ky tip që kam pasur unë në jetë jam rrëzuar shumë shpesh, por jam ngritur akoma më e fortë.
Kam qenë një njeri, ose një femër që nuk kam pyetur shumë për mentalitetin e njerëzve të komshinjve sidomos. Gjithmonë më thuhej po boll mos bëj këtë gjë se të shef komshiu se të shofin njerëzit. Unë kam thyer rregulla në fakt të them të drejtën. Duke qenë e lirë edhe kam qenë gjithmonë subjekt privat, nuk kam pyetur shumë për pjesën e mentalitetit, por nuk kam pyetur shumë edhe për këto rregullat familjare, strikte të shoqërisë, por edhe të familjes time”- tha Dhame.
Julinda Dhame shprehu dhe një dëshirë për të cilën ka ëndërruar:-Kam dashur dhe kam ëndërruar që të jem Ministre e Rendit sepse e mendoja që mund të punoja shumë për policinë edhe për sigurinë e qytetarëve. Por është akoma shpejtë, unë akoma nuk e mendoj që një femër mund të jetë Ministre Rendi. Ministre Rendi është goxha vështirë jemi akoma një shoqëri që burrat janë shumë të egër. Megjithatë unë e them, ua them të gjithve madje edhe kur takohem me ca miqtë e mi policë, i them shpesh silluni mirë se nuk i dihet një ditë mund të vi Ministre Rendi.