Connect with us

Aktualitet

Fishekë në derën e shtëpisë, 55-vjeçari: Nuk kam konflikte, dyshimet që kam

Published

on

Fishekët e gjetura në derën e shtëpisë së Skënder Likës, xhaxhait të Ilir Likës (Xhepa) i arrestuar si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenëve Paulin Gjergji dhe Bujar Lika, janë sekuestruar nga Policia dhe do të analizohen në Laboratorin e Policisë Shkencore.

Policia ka dyshime se autorët kanë lënë gjurmë në nëntë fishekët e gjetura në derën e shtëpisë së 55-vjeçarit në Sanxhak të Kurbinit. Po ashtu, po analizohen dhe kamerat e sigurisë të disa bizneseve në afërsi të banesës ku u gjeten plumbat për të parë nëse kanë fiksuar ndonjë lëvizje gjatë orëve të natës.

Në dëshminë e dhënë në Polici, 55-vjeçari Skënder Lika ka deklaruar se nuk ka konflikte, ndaj dyshimet janë se ngjarja lidhet me veprimtarinë e nipit dhe vëllait të tij Myslim Lika, të cilit iu bë atentat me armë zjarri pasditen e 28 janarit teksa po kthehej nga varrimi i motrës së tij.

ATENTATI I TË VËLLAIT

Ai u qëllua me tre plumba nga persona ende të paidentifikuar, duke e lënë të plagosur rëndë, por pas ndihmës së parë mjekësore e kaloi rrezikun për jetën.

Ai është një personazh i njohur i botës së krimit, pasi ka qenë i dënuar me 25 vite burg për vrasje. Konkretisht, në muajin prill të vitit 2000, Lika ka qëlluar me breshëri kallashnikovi mbi shtetasin Gëzim Çeliku, bashkëpronari i firmës “Friul Alba” dhe administratorin Italian Luciano Bortolusi.

Gëzim Çeliku mbeti i vdekur në vend, ndërsa Bortolusi u plagos.

Ndërsa djali i tij Ilir Xhepa (Lika) përveçse është bashkëpunëtori i Eduart Lamaj në vrasjen e dy biznesmenëve Gjergji dhe Lika, rezulton të jetë dhe autor i një plagosje me armë zjarri. Konkretisht në 15 maj 2020, ka qëlluar me armë zjarri në qytetin e Laçit në drejtim të 33-vjeçarit Zef Marku, por pa mundur ta ekzekutojë atë.

Prokuroria e Kurbinit ka mbyllur hetimet për vrasjen e dy biznesmenëve, ku nën akuzë janë katër persona, për vrasje në rrethana cilësuese. Në lidhje me këtë krim të dyfishtë janë dërguar për gjykim katër persona, të akuzuar për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Eduart Lamaj akuzohet në rolin e ekzekutorit, ndërsa miqtë e tij, Ilir Lika (Xhepaj), Klaudio Përkolaj dhe Oltion Vlashi, akuzohen në rolin e ndihmësit në vrasje.

Sipas Prokurorisë, motivet e ngjarjes mbeten të paqarta, por ka dyshime të forta se katër të akuzuarit në këtë dosje kanë pasur si qëllim grabitjen e biznesmenit Paulin Gjergji, ngjarje që përfundoi më pas në përdorimin e armës, duke qenë se edhe Bujar Lika ka qenë i armatosur.

Sipas burimeve, familjarët e 4 autorëve e kanë dënuar ngjarjen e rëndë dhe në emër të tyre babai i Eduart Lamajt i ka dërguar një masazh familjes së Bujar Likës, duke i kërkuar falje në emër të 3 familjeve.

Referuar dosjes hetimore, babai i Lamajt ka thënë se “gjakun e ke tek unë dhe mos e kërko në tjetër vend”.

Por, në përgjigjen e tij, babai i Bujar Likës ka thënë se ajo fjalë nuk kishte vend në bazë të zakonit, pasi lajmin e kishin marrë vesh të gjithë./Panorama