Connect with us

Aktualitet

SPAK mbyll hetimet, i komunikohet akuza gjyqtares Mimoza Margjeka: Korrupsion pasiv!

Published

on

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe paraqitur kërkesë për dërgimin në gjyq për gjyqtaren Mimoza Margheka dhe të akuzuarit e tjerë.

Prokuroria i ka komunikuar kështu akuzën gjyqtares.

Mimoza Margjeka akuzohet për “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, në bashkëpunim”.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 26.02.2021 ka përfunduar hetimet dhe paraqitur kërkesë për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr.186/2020, në ngarkim të pandehurve:

Mimoza Margjeka dhe Arben Cara, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç e 25 i Kodit Penal.

Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal.

Të pandehurit Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin, i kanë dhënë te pandehurës Mimoza Margjeka, me funksion gjyqtare, ndërkohë që ushtronte funksionet në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, të pandehurit Arben Cara, një shumë parash prej 6 000 (gjashtë mijë) eurosh, si përfitim të paligjshëm.

Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit nga ajo e “arrestit në burg”, në atë të “garancisë pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale të “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal.

Në shkëmbim të përfitimit të paligjshëm, ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit nga arrest në burg në atë të garancisë pasurore, për këtë shtetas.