Connect with us

Aktualitet

Emërimet në Gjykatën e Lartë/ KLGJ i propozon presidentit Meta 4 emra, ja cilët janë

Published

on

Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka propozuar presidentit Ilir Meta katër emra për emërimet në Gjykatën e Lartë.

Përmes një njoftimi KLGJ bën me dije se 4 emrat e propozuar janë: Sokol Binaj, Albana Boksi, Sandër Simoni, Klodian Kurushi.

KLGJ siguron opinionin publik se “do të vijojë punën intensive dhe do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm, që pavarësisht vështirësive, të përfundojë sa më parë procesin e plotësimit të vendeve të tjera të lira në sistemin gjyqësor, për të garantuar aksesin e qytetarëve në drejtësi“.

NJOFTIMI I PLOTË

Këshilli i Lartë Gjyqësor njofton opinionin publik se sot, në datën 17.03.2021, në vijim të vendimmarrjes së tij, i ka përcjellë Presidentit të Republikës propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë për katër pozicionet e lira në fushën e të drejtës penale, të shpallura me vendimet numër 241, 242, 243 dhe 244, datë 09.07.2020.

Në procedurat e ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, për katër pozicionet e lira në fushën e të drejtës penale, brenda afatit të kandidimit kandiduan gjithsej tetë kandidatë. Me synimin për plotësimin në kohë të pozicioneve të lira, me qëllim bërjen e Gjykatës së Lartë funksionale në një kohë sa më të shpejtë, Këshilli, konsideroi zhvillimin paralelisht të procedurës së verifikimit të kritereve të kandidimit, me atë të vlerësimit etik dhe profesional të kandidatëve për secilin nga pozicionet e lira, duke qenë se për ngritjen në detyrë në gjykatat më të larta kërkohen dy vlerësime etike dhe profesionale të kandidatëve, për të bërë renditjen e tyre dhe përcaktimin e kandidatit të renditur më lart.

Pas përfundimit të procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë për dy kandidate, respektivisht për shkak të tërheqjes nga kandidimi dhe të skualifikimit dhe përjashtimit nga procedurat e emërimit në Gjykatën e Lartë si rrjedhojë e vendimmarjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për gjashtë kandidatët e tjerë, Këshilli verifikoi plotësimin prej tyre të të gjitha kritereve të kandidimit, duke vendosur kualifikimin e tyre.

Në vijim, Këshilli vendosi fillimin e fazës së dytë të ngritjes në detyrë, procedurën e përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë, duke caktuar edhe relatorin përkatës, pas zhvillimit të shortit. Gjatë kësaj faze, një nga kandidatet u tërhoq nga kandidimi dhe Këshilli vendosi përfundimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë për këtë kandidate.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit të administruar, është realizuar renditja e kandidatëve për secilin pozicion të lirë në fushën e të drejtës penale, sipas së cilës Këshilli vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e katër kandidatëve, si vijon:

  • Sokol Binaj;
  • Albana Boksi;
  • Sandër Simoni;
  • Klodian Kurushi.

Këshilli i Lartë Gjyqësor siguron opinionin publik se do të vijojë punën intensive dhe do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm, që pavarësisht vështirësive, të përfundojë sa më parë procesin e plotësimit të vendeve të tjera të lira në sistemin gjyqësor, për të garantuar aksesin e qytetarëve në drejtësi.