Connect with us

Shendeti

OBSH e shqetësuar për situatën e Covid-19 në Ballkan dhe Europën Qendrore

Published

on

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se është “veçanërisht e shqetësuar” për situatën e Covid-19 në Ballkan dhe Evropën Qendrore.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për situatën epidemiologjike në Ballkan, si dhe shumë vende të tjera përreth Evropës Qendrore,” u shpreh Catherine Smallëood, Zyrtare e Lartë e Emergjencave në OBSH Evropë, të enjten gjatë një konference shtypi.

Situata aktuale është “më akute në pjesë të rajonit që ishin të suksesshëm në kontrollimin e sëmundjes në gjashtë muajt e parë të vitit 2020. Në Evropën Qendrore, Ballkan dhe vendet Baltike numri i rasteve dhe shtrimet në spital dhe vdekjet janë tashmë mes më të lartave në botë,” tha drejtori i OBSH-së në Evropë, Hans Kluge, raporton CNN.

Kluge vuri në dukje se incidenca e rasteve në rajon “vazhdon trendin e saj në rritje dhe po lëviz drejt lindjes. Tani kemi regjistruar tre javë rresht të rritjes së rasteve me Covid-19 me mbi 1.2 milionë raste të reja të raportuara javën e kaluar në të gjithë Evropën.”

Rajoni evropian i OBSH-së përfshin 53 vende, si dhe Rusinë dhe disa vende të Azisë Qendrore.

Ndërsa shumë vende rreth Evropës janë aktualisht nën “një bllokim të pjesshëm ose të plotë në të gjithë vendin”, disa gradualisht po lehtësojnë kufizimet e tyre, tha Kluge.

“Disa po e bëjnë këtë bazuar në supozimin se rritja e vaksinimit në vende do të çonte menjëherë në një gjendje të përmirësuar epidemiologjike. Supozime të tilla janë shumë herët për t’u bërë. Le të mos ketë asnjë dyshim për këtë, vaksinimi në vetvete, nuk zëvendëson kujdesin për shëndetin publik dhe masat e distancimit social,” tha Kluge.