Connect with us

Aktualitet

Kaos tek Apolonia, katër futbollistët titullarë pezullohen pasi nuk pranojnë të rinovojnë kontratat

Published

on

Në radhët e Apolonisë, në ndeshjen e fundit me Teutën në Fier, mungonin gjashtë futbollistë: Benjamin Agiare, Stefano Omeri, Ksement Mehmeti, Aleksandro Zaimaj, Jeton Krasniqi dhe Ekemini Ejoh, emrat e të cilëve nuk figuronin në protokoll e ndeshjes.

Ndër ta vetëm Agiare dhe Omeri kanë qenë të dëmtuar, ndërsa katër të tjerët kanë pasur arsyen e pezullimit apo bllokimit nga ana e trajnerit dhe klubit, raporton “Panorama Sport”.

MEHMETI – Ksement Mehmeti mund të quhet i larguari i parë nga kjo skuadër, pas plot pesw sezonesh si lojtar i Apolonisë.

Vetë futbollisti është “diskret” dhe shprehet se është i dëmtuar, por nga klubi e pranojnë largimin e mesfushorit.

Mehmeti ka luajtur për herë të fundit 90′ të plota më 12 mars, në ndeshjen Kukësi-Apolonia (1-1) dhe më pas rrugët janë ndarë. Duket se mesfushori ka qenë i pakënaqur me humbjen e pozicionit të titullarit të padiskutueshëm dhe me minutat që ka pasur në dispozicion gjatë këtij sezoni.

KRASNIQI – Sulmuesi Jeton Krasniqin po e paguan më keq refuzimin për nënshkrimin e një kontrate të re me Apoloninë.

Ai është deklaruar si i panevojshëm për skuadrën dhe nuk ka qenë as në stol në tri ndeshjet e fundit. “Unë jam në formë optimale, nuk kam pasur asnjë problem fizik. Jam pezulluar nga klubi, sepse nuk kam pranuar të zgjas kontratën.

Unë jam edhe një vit nën kontratë dhe nuk ka arsye pse të firmos një tjetër. Le të marrin çdo lloj vendimi, le të hakmerren duke mos më aktivizuar, unë nuk tërhiqem nga qëndrimi im,”– ka deklaruar sulmuesi i ri Jeton Krasniqi.

EJOH – Për Ekemini Ejoh nuk ka fund “saga” në aventurën e tij fierake. Pas ecejakeve të fillim sezonit që u mbyll me nënshkrimin e marrëveshjes së re 1+1, problemet mes nigerianit dhe drejtuesve janë shfaqur sërish në këtë fund kampionati.

Ejoh është pezulluar për mungesë impenjimi me U-21. “Unë nuk bëj shaka me futbollin, sepse është puna ime dhe me këtë punë unë kujdesem për familjen dhe dy vëllezërit e mi që kam në universitet.

Jam i stresuar nga kjo situatë. Nuk do të vazhdoj më tek Apolonia, po pres fundin e sezonit dhe gjithçka mbaron këtu”,– shprehet Ekemini Ejoh.

ZAIMAJ – E njëjta situatë dhe për Aleksandro Zaimajn: pezullim për mungesë impenjimi.

Mesfushori me pasaportë greke u cilësua si një nga goditjet më të mira të Apolonisë në merkaton e vjetshme dimërore, por këtë sezon pak hapësira ka pasur në fushë.

Ka disa ditë që 23-vjeçari është larguar nga skuadra dhe nuk është dukur në Fier.

Me shumë gjasa, kjo krisje do të çojë në fundin e bashkëpunimit mes tij dhe Apolonisë.