Connect with us

Aktualitet

U përgjua së bashku me Merkel nga amerikanët? Reagon ashpër Macron: Kjo është e papranueshme!

Published

on

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se përgjimi i aleatëve nuk ishte i pranueshëm pas raporteve se Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Shteteve të Bashkuara (NSA) kishte përgjuar aleatët evropianë.

Macron tregoi se Franca dhe Gjermania po kërkonin qartësi të plotë për atë që ndodhi.

“Kjo nuk është e pranueshme midis aleatëve,” tha Macron në një konferencë shtypi pas një takimi virtual Franko-Gjerman me Kancelaren gjermane Angela Merkel.

Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Shteteve të Bashkuara (NSA) përdori një partneritet me njësinë e zbulimit të huaj të Danimarkës për të përgjuar zyrtarë të lartë të vendeve fqinje, përfshirë Kancelaren gjermane Angela Merkel, njoftoi televizioni shtetëror danez DR.

Ky zbulim është rezultat i një hetimi të brendshëm të vitit 2015 në Shërbimin e Zbulimit të Mbrojtjes Daneze për rolin e NSA-së në partneritet, tha televizioni DR, duke cituar nëntë burime të paidentifikuara që kishin qasje në hetim.

Sipas hetimit, i cili mbuloi periudhën 2012 – 2014, NSA përdori kanalet e informacionit danez për të përgjuar zyrtarë të lartë në Suedi, Norvegji, Francë dhe Gjermani, përfshirë ish-Ministrin e Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe ish-udhëheqësin e opozitës gjermane Peer Steinbruck.

I pyetur mbi raportin e DR-së, një zëdhënës i kancelarisë gjermane tha se qeveria mësoi për akuzat vetëm kur u pyet rreth tyre nga gazetarët dhe refuzoi të komentojnë më tej.

Ministrja daneze e Mbrojtjes Trine Bramsen nuk pranoi të komentonte mbi “spekulimet” në lidhje me çështjet e zbulimit në media.
“Unë mund të them në përgjithësi se kjo qeveri ka të njëjtin qëndrim me atë të shprehur nga ish-Kryeministri në vitet 2013 – 2014 – përgjimi sistematik i aleatëve të ngushtë është i papranueshëm,” i tha ministrja Bramsen agjencisë Reuters në një deklaratë.

Në Uashington, NSA dhe Zyra i Drejtorit të Zbulimit Kombëtar (DNI) nuk pranuan të komentojnë. Edhe një zëdhënës i Shërbimit të Zbulimit të Mbrojtjes Daneze nuk pranoi të komentonte.

Në Danimarkë, një aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara, janë të instaluara disa stacione kryesore për kabllot nënujore të internetit nga Suedia, Norvegjia, Gjermania, Hollanda dhe Britania.

Burimet i thanë DR-së se NSA kishte përgjoi telefonata, tekste dhe mesazhe nga telefonat e zyrtarëve në vendet fqinje.

Hetimi i brendshëm në Shërbimin e Zbulimit të Mbrojtjes së Danimarkës, nisi në vitin 2014 pas shqetësimeve në lidhje me informacionet e nxjerra nga ish-punonjësi i NSA-së Edward Snowden një vit më herët, sipas DR-së.

Snowden u arratis nga Shtetet e Bashkuara pasi bëri publike dosjet sekrete të NSA-së në vitit 2013 dhe mori azil në Rusi.

Ish-udhëheqësi i opozitës gjermane Peer Steinbruck i tha televizionit gjerman ARD se mendonte se ishte” groteske që shërbimet e zbulimit të vendeve mike përgjojnë dhe spiunojnë përfaqësues të lartë” të vendeve të tjera.

“Politikisht e konsideroj skandal”, tha ai.

Ministri suedez i Mbrojtjes, Peter Hultqvist i tha televizionit suedez SVT se kishte “kërkuar informacion të plotë”.

Ministri norvegjez i Mbrojtjes Frank Bakke-Jensen i tha televizionit NRK se ai i merr akuzat seriozisht.

Një vendim në gusht të vitit të kaluar për të pezulluar kreun e Shërbimit të Zbulimit të Mbrojtjes daneze dhe tre zyrtarë të tjerë pas kritikave dhe akuzave për shkelje serioze nga një bord i pavarur që mbikëqyr agjencinë përqendruar në hetimin e vitit 2015, sipas DR-së.

Danimarka tha vitin e kaluar se do të fillonte një hetim për rastin bazuar në informacion nga një raport sinjalizues. Hetimi pritet të përfundojë më këtë vit./ Zëri i Amerikës