Connect with us

Aktualitet

Kadilli: Kryetari s’mund të kandidojë dy herë për kryeministër, nëse humb ikën në shtëpi, Rama mundet

Published

on

Nga Saranda, ku vijoi takimet me demokratët në kuadër të fushatës elektorale për garën për kreun e PD-së, Fatbardh Kadilli deklaroi se nuk duhet lejuar që kryetari i partisë të kandidojë më shumë se njëherë për kryeministër. Kadilli deklaroi se vendimet duhen marrë nga drejtuesit e qarqeve dhe jo nga kryetari në Tiranë, që nuk i njeh nga afër problematikat dhe individët.

“Ta ndajmë rolin e kryetarit të partisë në Tiranë nga administratori. Administrim t’i kalojmë dikut tjetër, njerëzve që nuk janë në politikë. Kush do të krijojë seksionin e vet të caktojë datën e zgjedhjeve dhe të dërgojë një ekip të mbajë shënim kush u zgjodh dhe kush nuk u zgjodh. Kryetari i partisë ka vetëm një shans të kandidojë për kryeministër.

Po fitojë të fitojë po nuk fitoi të ikë në shtëpi. Ndryshe nuk i duhet askujt. Unë e njoh shumë mirë Vlorën por nuk e njoh Gjirokastrën apo Kukësin. Si t’i marr vendimet? Do vijë dikush të më flasë në vesh. Dikush më duket më i bukur, dikush më i shëmtuar. Po ta zgjidhni vetë kandidatin për deputet dhe bashki energjia e reflektohet. Kjo e bën që partia të jetë më e madhe se kryetari. Do bëhen zgjedhjet në parti. Të zgjidhet këtu kryetari. Sa e ka fuqinë, ta masë me vota”, tha Kadilli.

Ai deklaroi se me ndryshimin e datës së zgjedhjeve janë ndryshuar edhe rregullat e lojës për t’i lënë sa më pak kohë kandidatëve të shpalosin platformat e tyre. Kadilli theksoi Edi Rama mund të mundet, nëse partia ka motivim dhe frymëzim.

“Rinia mblidhet se vjen kryetari dhe qëndron si dekor mbrapa kryetarit. Çdo grua duhet të ketë organizatën dhe peshën e vet që të sjellë problemet e gruas në parti. Ne kemi një forum rinor që bëri zgjedhje shumë të mira. Ne kur bëjmë protesta mezi mbledhim 100 të rinj në Tiranë. I mbledhim nga ana e anës. Më mirë 5 veta që janë zë i fuqishëm se 500 veta që japin shishen e qumështit dhe presin të vijë në pushtet PD dhe të marrin ndonjë gjë.

Çfarë bëjnë këta, bëjnë një program dhe del kryetari i partisë thotë do bëjmë këtë, do bëjmë atë. Ata duhet të vijnë tek ty që të jetë partia atraktive. Partia duhet të jetë frymëzuese. Frymëzimi vjen kur partia moderon veten në radhë të parë. Data e zgjedhjeve ka qenë 22 Korrik. Pse u ndryshuan rregullat e lojës. Edi Rama mundet, nga ju dhe nga unë. Nuk ka asgjë që mund të më njollosë. Nuk ka një njeri që të thotë që e kam braktisur.

Partia duhet të ketë motivim dhe frymëzim. Nuk mundet që kjo parti të jetë në moskuptim me SHBA. Këto marrëdhënie janë thyer ndër vite. Me këtë lidership kjo parti nuk merr dot frymë. Edi Rama do vijojë të jetë i rrezikshëm për demokracinë. Ne kemi detyrimin t’i dalim zot shqiptarëve jo vetëm partisë. Mos t’iu gënjejë kush se do vijë përmbysja. Në një vend të NATO-s nuk ndodh përmbysja. Shtatoren e Enver Hoxhës e rrëzuan studentët.  Në vitin 1997 nuk ishin socialistët që e nisën”, tha Kadilli.