Aktualitet
Koronavirusi shton depresionin në vend, rritet ndjeshëm konsumi i qetësuesve
Published
3 years agoon
By
a.aNjë duzinë njerëzish qëndronin në radhë, të shkujdesur, me zë të lartë dhe me padurimin për të kryer vizitën e tyre në Poliklinikën Qendrore në kryeqytet.
Shqetësimi i të cilëve lexohet edhe poshtë maskave. “Secili ka halle të ndryshme”, më thotë mjekja psikiatër, Arjana Rreli, të cilën e prita thuajse dy orë.
“Fluksi është i tillë gjithmonë, por vihet re ndërgjegjësimi për të kërkuar ndihmë, sidomos pas pandemisë”- vijon znj. Rreli.
Pavarësisht zhvillimeve moderne në mjekësi, koronavirusi ka shkaktuar më shumë se 1 milion vdekje të raportuara në më pak se një vit në botë. Përveç numrit të të vdekurve, pandemia ka shkaktuar probleme të rëndësishme emocionale, fizike dhe ekonomike, në të gjithë botën.
Fazat e hershme të pandemisë në marsin e vitit të shkuar dhe bllokimet më pas ishin të vështira për të gjithë, në mënyra të ndryshme.
Izolimi, papunësia, kujdesi për fëmijët dhe sfida të tjera ndikuan rëndë në mirëqenien mendore të shumë njerëzve në botë. Megjithatë, këtu jemi, një vit më vonë. Si po ia dalim? Efektet shëndetësore fizike të COVID-19 dhe vdekjet e panumërta që ka shkaktuar pandemia kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shkatërruese në shkallë globale. Sidoqoftë, shëndeti mendor i njerëzve në të gjithë globin mori një goditje.
Nuk bëri përjashtim as Shqipëria. Njerëzit ishin të shqetësuar për ndikimin emocional që humbja e të dashurve do të kishte mbi veten dhe mbi miqtë, familjarët. Shumë e kishin të vështirë ta përballonin izolimin, ndërsa të tjerët e kishin të vështirë, për shkak të humbjes së punës dhe pasigurisë financiare, mbylljes së bizneseve.
Për më tepër, studimet kanë zbuluar stresues të tjerë, duke shtuar ngarkesat emocionale të individëve, si izolimi social, papunësia dhe humbjet ekonomike. Gjithashtu, puna nga shtëpia, ndërsa do të duhet të kujdeseshin për fëmijët dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, ishte një arsye më shumë e shtimit të stresit.
Sipas mjekes psikiatër, Arjana Rreli, numri i pacientëve që kërkojnë shërbimet mjekësore është rritur në tre vitet e fundit, por doktoresha pohon se situata në realitet është edhe më e rëndë, pasi shoqëria ende nuk ka kulturën e mjaftueshme për të marrë diagnozë te mjeku dhe më pas trajtimin e nevojshëm.
Znj. Rreli thotë se një shoqëri e stresuar nuk është produktive dhe krijon predispozitë për të përthithur edhe pjesën tjetër të shëndoshë të popullatës, sidomos me efektet që lë brenda familjes. Sipas saj, mendohet shumë dhe veprohet për sëmundje të tjera, por sëmundja e mendjes është ndër sëmundjet më të kushtueshme, me ndikime negative në ekonominë e një shoqërie.
Grupe që përpara pandemisë kanë qenë në një pozitë të brishtë psikologjikisht apo fizikisht, janë më të rrezikuara nga sëmundjet mendore, përfshirë ata që kanë prirje për abuzim me alkool dhe substanca të ndryshme. “Njerëzit u privuan nga kënaqësitë e vogla të jetës dhe nga ritet e traditat e rëndësishme, si lindjet, martesat, vdekjet. Dhe mbi të gjitha mungesa e informacionit dhe e sigurisë së rikthimit në ritmin normal të jetës, shtoi stresin, ankthin e më pas, depresionin te shqiptarët” – thotë mjekja Rreli.
Aty ku ishim një vit më parë
Pandemia detyroi disa njerëz të punojnë dhe të ekspozohen ndaj virusit, ndërsa të tjerët përfituan nga puna në shtëpi. Në fillim të pandemisë, disa njerëz gëzuan masa më të qeta bllokimi (në varësi të vendit në të cilin ndodheshin), ndërsa të tjerët ndiheshin më të sigurt nga izolimi i rreptë.
Megjithatë, në përgjithësi, efektet mendore të bllokimit nuk vonuan shumë të shfaqeshin: Njerëzit raportuan se ndiheshin më të trazuar, më të stresuar, më të shqetësuar dhe më të pagjumë. Studimet e konfirmuan këtë.
Raporti i përpiluar nga Urdhri i Psikologëve Shqiptarë, për periudhën 23 mars – 10 maj 2020, tregon se janë marrë në total 756 telefonata në rreth 50 ditë shërbim psikologjik online pa pagesë.
“Në dy ditët e para të shërbimit, kemi pasur një fluks më të lartë të telefonatave nga individë meshkuj, tendencë e cila u përmbys menjëherë pas ditëve të para. Në përfundim të shërbimit, pjesa më e madhe e personave që kërkuan asistencë ishin femra, 70% në total. Sikundër do të shohim edhe më poshtë në grafikun e moshës, pjesa më e madhe e qytetarëve që kërkuan ndihmë ishin nëna të reja. Kemi konstatuar se kjo kategori ka qenë ndër më të prekurat nga izolimi.
Në bazë të të dhënave konstatohet se ato kanë menaxhuar njëherësh: mësimet online të fëmijëve, mirëmbajtjen e shtëpisë, kujdesin ndaj familjes në tërësi, si dhe ngarkesat që kanë ardhur si pasojë e shkëputjes nga aktiviteti i punës së përditshme apo mungesa e kohës për veten. Përpos këtyre angazhimeve dhe problematikave të përditshme, shtohet edhe ngarkesa e ardhur specifikisht nga frika e COVID-19” – pohon kreu i Urdhrit të Psikologëve të Shqipërisë, znj. Valbona Treska.
Raporti tregon, sipas saj, se numri i ulët i telefonatave nga meshkujt mund të vijë, ndër të tjera, edhe si pasojë e mentalitetit dhe tendencës për të mbajtur për vete shqetësimet emocionale, gjë që rrit riskun e mosmarrjes në kohë të ndihmës për problematika të shëndetit mendor. Në këtë drejtim, gjinia femërore vlerësohet se e ka pasur më të lehtë aksesin te psikologu.
“Lidhur me moshën e individëve, të cilët raportojnë se kanë përjetuar më shumë ngarkesë emocionale në këta muaj karantine, kemi një përqindje që në total shkon deri në 74% për moshën deri në 35 vjeç, me përqindjen më të lartë të raportuar nga mosha 30-35 vjeç. Edhe pse mosha më e rrezikuar nga COVID-19 ka qenë mbi 60 vjeç, vëmë re një përqindje thuajse të pallogaritshme në total të qytetarëve të kësaj moshe që kanë kërkuar ndihmë. Një ndër faktorët që ne kemi analizuar për këtë përqindje të ulët të moshës mbi 50 vjeç që ka kërkuar ndihmë, është edhe mentaliteti jo i hapur ndaj profesionit të psikologut në tërësi, apo edhe i aksesit në rrjetet sociale e web, për të evidentuar listat e psikologëve” – thuhet në raport.
“Kemi pasur shtim të fluksit të konsultave të kërkuara nga adoleshentë.
Mungesa e fashave të orareve për ta, për të dalë nga banesa, frika nga COVID, problematika të hasura me mësimin online, mungesa e kontakteve të drejtpërdrejta sociale të domosdoshme për një adoleshent, të cilat u janë mbivendosur problematikave të moshës, kanë rezultuar me një përqindje të lartë të nevojës për konsulta me psikologun. Ky rezultat, vlerësojmë se është një kambanë alarmi dhe se i duhet kushtuar veçanërisht vëmendje kësaj grupmoshe me politika sociale dhe aktivitete me fokus mirëqenien e tyre psikologjike” – thotë znj. Treska.
Sipas raportit, tre qarqet me numrin më të lartë të kërkesave për këshillim psikologjik gjatë kësaj periudhe janë: Lezha me 23.7%, Tirana me 22.1% dhe Durrësi, me 19.4%. Kjo e dhënë, sipas tyre, vërteton faktin se popullata që ka përjetuar tërmetin e 26 nëntorit, është shumë më e rrezikuar për problematika të shëndetit mendor.