Shendeti

A janë prekur më fort nga koronavirusi emigrantët në Gjermani?

Published

on

Nga Auron Dodi
Disa media në Gjermani raportojnë se emigrantët e minoritetet sëmuren më dendur me Covid-19. Mjekë të tjerë i quajnë këto deklarata raciste. Ndërsa disa ekspertë sjellin argumente, shkruan Auron Dodi.

Janë në fakt kryesisht media me drejtim të qartë të djathtë politik, ato që e përhapën këtë javë lajmin për emigrantët e sëmurë me koronavirus. Ndër to janë gazeta bulevardeske Bild-Zeitung dhe revista Focus, të cilat shpesh kujdesen pak për maturinë që ka qeveria në përhapjen e lajmeve, që mund të ushqejnë paragjykime për të huajt.

Austria dhe Çekia i deklarojnë publikisht shifrat për pjesëtarët e minoriteteve të sëmurë me Covid-19, shkruan revista Focus. Pra pse të mos e bëjë edhe Gjermania? Por kjo revistë harron se ato janë vende më të vogla dhe me përbërje dhe balancë tjetër sociale nga Gjermania.

Revista Focus citon ndër të tjera një mjek që mbetet anonim. Ai thotë se pjesa më e madhe e pacientëve nën terapi janë pacientë si me origjinë turke, ashtu edhe nga shumë pjesë të Ballkanit. Kjo vlen sidomos për kulmin e fazës së dytë të pandemisë. Revista Focus tërheq vëmendjen që kjo situatë ndodh megjithëse aplikacioni paralajmërues për Coronan ekziston edhe në gjuhë komunitetesh: si në gjuhët turke, arabe dhe shqipe. Dhe megjithëse qeveria gjermane dhe klinikat kanë shpërndarë material informues në gjuhët e komuniteteve. Por lajmin për emigrantët dhe komunitetet e trajtoi të enjten, në mënyrë të balancuar, edhe ZDF, televizion publik gjerman me tendencë konservatore.

Lajmi për emigrantët e sëmurë bazohet në tregime mjekësh

Pyetja që shtrohet është se ku bazohen argumentat e ekspertëve se Covid-19 ka goditur më fort persona me origjinë migrantësh, kur në Gjermani nuk ka shifra për këtë. Për Gjermaninë ky lajm bazohet në përshtypje dhe tregime mjekësh. Këtë ia tha stacionit gjerman ZDF edhe një përfaqësues i Shoqatës Ndërsiplinore Gjermane të Mjekësisë Intensive (Divi). Ai tha se as nuk njeh ndonjë organizatë në Gjermani, që të regjistrojë për pacientët e kujdesit intensiv në spitale të dhëna të tilla. Pra se cili nga të sëmurët është me origjinë emigrantësh apo cili ka pengesa gjuhësore.

ZDF citon të enjten me emër shefin e një klinike mushkërish. Atë e kanë informuar kolegët e tij se pacientë me Covid, me origjinë emigrantësh përbëjnë 50 deri 90 përqind të pacientëve që kanë ata. Por edhe përshtypja e mjekut që flet për klinikën e tij e mbështet këtë. Ndërsa sipas Bild-Zeitung kryemjekët e spitaleve kanë informuar në një bisedë informale për këto rrethana edhe shefin e Institutit-Robert-Koch, Wieler.

Fenomen i vendeve më të pasura: emigrantët të goditur nga Covid-19

Por edhe specialistë e besojnë që personat me origjinë emigrantësh janë të prekur në mënyrë mbiproporcionale nga Covid-19. Ata e besojnë këtë, për disa arsye.

Së pari, sepse persona me origjinë emigranti punojnë më shpesh në profesione, ku rreziku që ta marrin virusin është më i madh. P.sh. në Gjermani ata punojnë në mënyrë mbiproporcianale në përkujdesjen shëndetësore dhe në shëndetësi.

Së dyti, kultura shëndetësore dhe njohuritë te shumë njerëz me origjinë emigrantësh janë jo optimale. Edhe për shkak të gjuhës, ata nuk marrin informacione serioze. Veç kësaj, dezinformimi që marrin ndonjëherë nga atdheu i tyre, se p.sh. Covid-19 nuk është kaq i tmerrshëm sa e bëjnë, shton çoroditjen. Disa të huaj bëhen fatalisht edhe pre e teorive konspirative dhe marrin një qëndrim krejtësisht bllokues ndaj informacioneve shtetërore për virusin.

Së treti, përcjelljen e virusit e lehtëson varfëria dhe kushtet e jetesës të një pjese të personave me origjinë emigrantësh.

Sipas OECD-së, në shumë shtete me të ardhura të larta për frymë kemi të njëjtën gjendje. Faktorë që e nxisin përhapjen e virusit tek migrantët, sipas OECD-së, janë banimi i shumë vetëve nën një çati, apo përdorimi i dendur i transportit publik. Po edhe pamundësia e shumë pjesëtarëve të minoriteteve për të punuar në shtëpi. Ose për të ruajtur distancën sociale, si në gastronomi apo në therrtoret e mishit. Edhe qeveria britanike bëri vjet një studim për këtë fenomen. Dhe arriti në përfundimin se rreziku i humbjes së jetës, te minoritetet, është 50 përqind më i lartë se te britanikët e bardhë.

Shkaqet për mosregjistrimin e veçantë të emigrantëve të sëmurë

Në Gjermani të dhëna të sakta për emigrantë të sëmurë me koronavirus nuk mblidhen, edhe sepse ekziston rreziku që ato të përgjithësohen në mënyrë të padrejtë nga qarqe të interesuara. P.sh. për të thënë se janë të huajt ata që e përhapin pandeminë.

Kjo do të ishte madje një temë e mirëpritur për protestuesit kundër qeverisë, meqenëse sipas tyre virusi nuk ekziston dhe masat kufizuese të qeverisë janë të gabuara. Dihet se një pjesë e këtyre protestuesve, më parë kanë demonstruar kundër migrantëve.

Edhe lajmin e fundit, Partia ultra e djathtë në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë, e komentoi menjëherë. AfD shkroi në Twitter se për qeverinë kishte “më shumë rëndësi” të thoshte se “modeli multikulturor ka sukses, se sa të luftojë koronavirusin”.

Nga ana tjetër, mjekë të njohur në Gjermani i quajtën për ZDF raciste deklaratat e mjekëve për emigrantët e sëmurë me koronavirus. Ata thonë se ka edhe shumë gjermanë, që nuk janë të informuar si duhet. Dhe është e gabuar të tregohet me gisht një grup i popullatës. Virusi duhet të luftohet nga të gjithë bashkë. Këta mjekë kërkojnë që të rriten fushatat informuese në komunitete, veç informacioneve që qeveria gjermane i ofron tashmë në gjuhët e komuniteteve.

Exit mobile version