Connect with us

Aktualitet

Abdixhiku: Takimi me Osmanin pozitiv, kemi nevojë për qartësime shtesë

Published

on

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kandidaten për presidente, Vjosa Osmanin, ka thënë se takimi ishte konstruktiv dhe pozitiv.

Abdixhiku ka thënë se nuk ka ende ndonjë vendim për votimin e Osmanit.

Sipas kreut të LDK-së, kjo çështje do të diskutohet në organet e LDK-së, e ku pastaj do të organizohet edhe një takim tjetër me Vjosa Osmanin.

“Tani ne kemi biseduar rreth rolit të saj të ardhshëm. Do të kemi nevojë për qartësime shtesë dhe do të kemi kohë për konsultime shtesë brenda partisë dhe në momentin që përfundojnë këto dy procese, atëherë do ta kemi të qartë edhe vendimin përfundimtar. Takimi ka qenë konstruktiv dhe pozitiv”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku tha se në takim po ashtu është diskutuar për përmbajtjen e platformës së kandidates për presidente, Vjosa Osmani.

“Kemi diskutuar platformën. Nuk kemi vërejtje sa i përket përmbajtjes së platformës”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku nuk ka bërë të ditur se kur do t’i takojë organet e partisë së tij e as kur do të jetë takimi i ardhshëm me Osmanin, porse ka thënë se nuk duhet thirrur seanca për presidentin, pa pasur unitet mes spektrit politik.

Aktualisht është e paqartë nëse do të sigurohen votat e mjaftueshme për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në pozitën e presidentes, për shkak se ajo nuk po përkrahet nga partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Partitë e komuniteteve joserbe kanë shprehur përkrahjen e tyre për Osmanin.

Që një person të zgjidhet president i Kosovës, sipas kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhet të sigurojë dy të tretat e votat të Kuvendit të Kosovës prej 120 ulësesh. Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh./REL/