Aktualitet

Adriatik Llalla ankimon vendimin që e dënon me dy vjet burg dhe i konfiskon pasuritë

Published

on

Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka ankimuar dënimin me dy vite burg në Shkallë të Parë për akuzën e fshehjes së pasurisë në tre raste.

Ankimi është dorëzuar këtë të enjte në Gjykatë dhe pritet që në ditët më vijim të hidhet shorti për gjyqtarin.

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion në shkallën e parë ka dënuar me dy vite burg ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, duke i ndaluar atij ushtrimin e funksioneve publike për pesë vite.

Ish-drejtuesi i organit të akuzës u paraqit në seancë bashkë me avokatin e tij Sokol Hazizaj, i cili kërkoi pafajësi duke e cilësuar hetimin tendencioz.

Mbrojtësi ligjor tha se në vitin 2016 Adriatik Llalla mori para borxh për të çuar familjen në Gjermani për shkak të kërcënimeve për shkak të detyrës.

Sipas avokatit, Llalla në asnjë moment nuk ka fshehur pasuri që kur ka qenë subjekt deklarimi, ndërkohë që për shumën rreth shtatë mijë dollarë, e cila është përdorur për lindjen e djalit në SHBA, pagesat janë bërë nga një mik shqiptaro-amerikan, i cili dëshmoi para gjykatës.

Avokati më tej dorëzoi faturat origjinale të pagesave në bankë.

Pas konkluzioneve të mbrojtjes, gjykata u tërhoq për vendim duke bërë të ditur se verdikti do të shpallej në orën 13.30.

Megjithatë me disa minuta vonesë, trupi gjykues u rikthye në sallë dhe shpalli vendimin duke pranuar pretencën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), për dënimin e Adriatik Llallës me dy vjet heqje lirie.

I konfiskohet pasuria

Krahas dënimit, i cili është i apelueshëm në gjykatën e shkallës së dytë, togat e zeza vendosën që ish-kryeprokurorit ti konfiskohen edhe katër pasuri, konkretisht një apartament në Durrës dhe tri sipërfaqe tokë arë.

Hetimi ndaj ish-kryeprokurorit u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 me akuzat e “fshehjes së pasurisë”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “pastrimit të parave”, por më pas ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të pasurisë”.

Dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda në korrik 2018, ndërsa gjykata vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm.

Pas krijimit të SPAK, dosja i kaloi kësaj prokurorie e cila dërgoi dosjen në gjyq dhe pas disa seancave përgatitore, Llalla nuk pranoi gjykim të shkurtuar ndërsa organi i akuzës kërkoi dënimin e tij me dy vjet heqje lirie.

Procesi ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla është ndjekur nga afër nga përfaqësues të Ambasadës amerikane.

Exit mobile version