
Agron Shehaj ka votuar para pak çastesh në Selinë Blu, në zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokratike.
Duke folur për gazetarët pas votimit, Shehaj falënderoi mbështetësit dhe votuesit e tij ndërsa u bëri thirrje demokratëve që të votojnë me qetësi.
Po ashtu, kandidati për kreun e PD theksoi se sot anëtarët e PD nuk zgjedhin thjesht kryetarin e ri të partisë por vendosin fatin e zgjedhjeve të ardhshme.
Duke i qëndruar deklaratës së bërë më herët për “standardin e ulët të demokracisë”, Shehaj tha se ky standard mund të kthehet në bumerang për Partinë Demokratike.
“Falenderoj mbështetësit dhe vëzhguesit e mi në të gjithë Shqipërinë. I ftoj demokratët që të votojnë me qetësi.
Nuk zgjedhin vetëm kryetarin e ri të PD, por vendosin fatin e zgjedhjeve të ardhshme. Standardi i ulët në këtë proces mund të kthehet në një bumerang për PD…Është akoma më e rëndësishme besueshmëria e PD.”
Më herët gjatë ditës së sotme kanë votuar edhe kreu aktual i PD-së, Lulzim Basha, Fatbardh Kadili dhe zonja Edith Harxhi.