Shendeti

“Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, Meta nga Saranda: Të nxisim solidaritetin me këtë kauzë humane, për të shpëtuar sa më shumë jetë

Published

on

Në kuadër të nismës së ndërmarrë prej tij, “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i pranishëm në seancën e radhës të dhurimit vullnetar të gjakut, që u mbajt pranë Qendrës së Kujdesit për Moshën e Tretë në Sarandë.

Së bashku me qytetarë e të rinj sarandjotë, kauzës fisnike, ju bashkuan vullnetarisht edhe shtetas të huaj, të cilët jetojnë në Sarandë dhe që dhanë kontributin e tyre human në ndihmë të fëmijëve talasemikë e të sëmurëve kronikë.

Në një prononcim për mediat, Kreu i Shtetit u shpreh se është një kënaqësi e veçantë për t’u rikthyer në Sarandë në shërbim të një kauze shumë humane, siç është dhurimi i gjakut, që bëhet edhe më fisnike, në kushtet e pandemisë.

“Është kënaqësi të shoh shumë qytetarë të huaj, që jetojnë në Sarandë, të cilët vullnetarisht i janë bashkuar “Aleancës për dhurimin e gjakut”, duke kontribuar me solidaritetin e tyre, në ndihmë të fëmijëve që vuajnë nga talasemia dhe të sëmurëve kronikë.

Ky akt është një shprehje mirënjohje edhe për mikpritjen shqiptare dhe sarandjote që ata, kanë gjetur.

Dhurimet e gjakut në këtë periudhë, janë shumë të rëndësishme, veçanërisht për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, që ka sjellë një ulje drastike të numrit të dhuruesve.

Kënaqësi të takoja shumë qytetarë nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Zelanda e Re dhe Mbretëria e Bashkuar.

Kjo është shumë pozitive, sepse tashmë ekziston një komunitet i tillë në Sarandë dhe kjo është e natyrshme, për faktin se Saranda tashmë është një markë e njohur për të gjithë turistët e huaj.

Ne shpresojmë, që të ritakohemi në kohë më të mira dhe pa pandemi, me një mot shumë më të mirë, pasi Saranda i ka të gjitha potencialet për të mirëpritur me dinjitet turistët vendas dhe të huaj.

Për shkak se Covid-19 solli vështirësi të mëdha për sistemin tonë shëndetësor, falenderoj, të gjithë qytetarët, të rinjtë e të reja, që me vullnetarizëm i janë përgjigjur thirrjes tonë për të dhuruar gjak dhe për të shpëtuar jetë”, – u shpreh Presidenti Meta. tpz.al

Exit mobile version