Rajoni
Analiza e “Deutsche Welle”: Si ta bësh Serbinë ta njohë Kosovën?
Published
4 years agoon
By
a.aNë Prishtinë dhe Beograd Lajçak u përpoq të rinisë dialogun.
Analistët nga Beogradi për DW: Qëllimi i dialogut është të gjendet një model, në bazë të të cilit Serbia ta njihte në mënyre implicite ose eksplicite Kosovën.
I dërguari i posaçëm i BE për dialogun Serbi-Kosovë, Miroslav Lajçak, theksoi në vizitën e tij në Beograd se dialogu Beograd-Prishtinë është thelbësor për të dyja palët dhe se status-quoja nuk është diçka që Evropa e mbështet. Ai vuri në dukje edhe se qeveritë nuk kanë luksin të zgjedhin prioritetet dhe se Evropa pret vazhdimin e dialogut.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u shpreh se “nuk e kupton se ku është kompromisi në njohjen e ndërsjellët të Beogradit dhe Prishtinës” dhe se “kompromisi nuk mund të jetë një deklaratë, si Gjuro do të të kërkojë ty falje, se të ka rrahur.”
Ai beson se pala shqiptare nuk është e gatshme për një marrëveshje, por është i kënaqur që ajo është e gatshme për dialog.
Me këtë rast Presidenti i Serbisë promovoi edhe një frazë të re për zgjidhjen e problemit të Kosovës “asnjërit të gjithën, por për secilin mjaftueshëm”, që është një variant tjetër në temën “më shumë se autonomi, dhe më pak se pavarësi”.
Prandaj edhe analistët në vijim mendojnë se presidenti i Serbisë është i gatshëm ta njohë Kosovën në një farë forme, nëse Serbia në këmbim do të marrë diçka.
Duke qenë se bëhet fjalë për një proces, që nuk është transparent dhe që e mban opinionin serb në errësirë, është e vështirë të përcaktohet, se çfarë është kjo “diçka”, që Aleksandër Vuçiç do të paraqesë si fundin e një rruge, në të cilën Serbia nuk mori “gjithçka”, por mori “mjaft”.
Presioni lëviz dialogun
Në një situatë, kur Albin Kurti merret kryesisht me referendumin për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, krijohet përshtypja se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës nuk është për askënd prioritet. Pala shqiptare nuk tregon shumë entuziazëm për vazhdimin e dialogut, edhe Beogradi deri diku është indiferent, nëse do të vazhdojë dialogu. Prandaj Dejan Bursaç nga Instituti për Studime Politike thotë për DW se “nuk sheh që Brukseli do të jetë në gjendje të ringjallë dialogun, nëse nuk ushtrohet presion pak më i madh, e këtë presion Brukseli nuk mund ta ushtrojë pa SHBA”.
“Këtu është edhe pyetja, se si do të paraqitet Albin Kurti, i cili opinionit të brendshëm publik i paraqitet si dikush, që i kundërvihet Perëndimit, por nga ana tjetër është dikush, që për gjithçka konsultohet me SHBA-në dhe Gjermaninë”, vlerëson Bursaç.
Kur është fjala për presionin mbi Serbinë, vazhdon Bursaç, ai në një farë mënyre është tashmë i dukshëm edhe nga raporti i Parlamentit Evropian.
“Ky raport ndryshon nga ato që kemi pasur rast të shohim vitet e fundit. Këto sinjale mund t‘i shohim si një formë të vogël presioni dhe dirigjimi të Beogradit drejt dialogut me Prishtinën”, thotë Bursaç.
Parullat boshe të Vuçiçit
Retorikën e Aleksandër Vuçiçit pas takimit me Lajçakun drejtori i Institutit për Çështjet Evropiane, Naim Leo Beshiri, e sheh si një transformim interesat. „Interesant është, se si nga koncepti ‘më shumë se autonomi, më pak se pavarësi’ kemi ardhur te momenti, kur me të vërtetë flasim për modalitetet e njohjes së Kosovës.
Në këtë moment qëllimi i këtij dialogu për Serbinë është vetëm se si të gjendet ndonjë model, sipas të cilit Serbia do të njohë në mënyrë implicite apo eksplicite Kosovën. Dhe mendoj se Vuçiç prej disa vitesh përpiqet të përgatisë për këtë terrenin përmes institucioneve të ndryshme, që deri tani i janë kundërvënë kësaj, si kisha, ushtria, apo Akademia serbe e Shkencave dhe Arteve (SANU)”, vëren Beshiri.
Pazari i njohjes së Kosovës
Komentin e Aleksandar Vuçiçit, që ai nuk sheh se njohja reciproke mund të jetë ndonjë kompromis, Naim Leo Beshiri e konsideron si diçka që mund të çojë në një konkluzion të gabuar:
“Koncepti i njohjes reciproke sjell një lloj konfuzioni, sepse Serbia nuk ka domosdoshmërisht nevojë për njohjen e Kosovës. Kosova nga ana tjetër ka më shumë nevojë për njohjen nga Serbia. Pra kur flasim për presionet mbi Serbinë, ne flasim se si të gjendet mënyra më pak e dhimbshme që Serbia të njohë Kosovën. Vuçiç tani përpiqet të marrë ndonjë avantazh ekonomik nga kjo, por duhet theksuar se edhe pa problemin e Kosovës Serbia ka shumë probleme të tjera, për shkak të të cilave nuk mund të llogarisë me sigurinë e anëtarësimit në BE”, thekson Beshiri.
Serbia në të vërtetë po përpiqet të tregtojë njohjen e Kosovës me anëtarësimin e garantuar në Bashkimin Evropian, shpjegon Beshiri dhe thekson se “Partia Progresive Serbe dhe presidenti i saj mendojnë se kjo mund t‘i lërë në pushtet për të paktën dhjetë vjet të tjera. Mendoj se kjo është një llogaritje krejtësisht e gabuar”.
Kërkohet formulimi
Jam i sigurtë se Vuçiç është i vetëdijshëm, që i gjithë ky proces po shkon drejt një lloj njohjeje të Kosovës, vëren edhe Dejan Bursaç, i cili thotë se „është e qartë se tani kërkohet formulimi, që në një farë mënyre do të paketohet dhe t‘i prezantohet opinionit serb, i cili është shumë i ndjeshëm në këtë çështje. Tani po kërkohet tekstualilsht, se si kjo marrëveshje e mundshme të paraqitet e tillë, sikur Serbia nuk është dorëzuar në gjithçka”.
“Që nga marrëveshja e Brukselit Serbia ka nënshkruar, të themi, gati 50 dokumente të ndryshme me Kosovën, të cilat kanë forcuar më tej sovranitetin e Kosovës dhe nga ana tjetër ajo nuk ka përfituar as Bashkësinë e komunave serbe. Pala serbe bën lëshime masive në këto bisedime, por në publik i prezanton si proces, në të cilin askush as nuk ka humbur dhe as nuk ka fituar ndonjë gjë të veçantë”, përfundon Dejan Bursaç./Deutsche Welle Tpz