Aktualitet

Berisha u shpall non-grata, Kadilli kërkon largimin e tij nga PD-ja: Të mbrohet dhe ta sqarojë këtë çështje privatisht!

Published

on

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, ka kërkuar largimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga PD-ja.

Në një reagim në rrjetet sociale, një ditë pasi Berisha u shpall non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kadilli shkruan se Berisha me shumë bindje do ta shmangë përfshirjen e PD-së në këtë çështje, duke e bërë betejën nënn emrin e vet.

Kadilli shton se Berisha sot i ka të gjitha mundësitë, synimet dhe etikën që të mbrohet privatisht dhe ta sqarojë këtë çështje pa përfshirë partinë.

Lajmi i shpalljes së z. Berisha persona non grata nga Sekretari i Shtetit, ka provokuar shumë emocione, sidomos mes mbështetësve dhe atyre që kanë rrugëtuar në politikë krah tij. Në 30 vjetorin e vendosjes se marrdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, ky vendim sjell shqetësim për të gjithë. Kujtoj ende imazhet e drejtuesve demokratë Berisha dhe Pashko, si të ftuar specialë të këtij momenti historik.

Sot, në një situate krejtësisht të përmbysur, Berisha i ka të gjitha mundësitë, synimet dhe etikën të mbrohet dhe ta sqarojë këtë çeshtje privatisht. Kam bindjen se ai do e shmangë PD nga përfshirja në këtë çështje të së djeshmes duke e marrë nën emrin e vet betejën finale për emrin dhe historinë. Partia Demokratike, si partia e atyre që formuluan idetë politike dhe u frymëzuan nga zëri dhe ethosi amerikan, do të jetë dhe duhet të jetë e qartë në qëndrimin ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë, dhe nuk do t’i kompromentojë në asnjë rast marrdhëniet me partnerin strategjik dhe mikun më të madh të Shqipërisë,”- shkruan Kadilli.

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall non-grata dje nga Departamenti Amerikan i Shtetit bashkë me familjen e tij. Lajmi u dha nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i cili njoftoi zyrtarisht se Berisha ka minuar demokracinë dhe se gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit është përfshirë në afera korruptive dhe ka pasuruar aleatët e tij politikë. Edhe pse nuk jep emra, DASH thekson se ka nevojë për një hetim të plotë në Shqipëri. Gruaja Liria, vajza Argita dhe djali, Shkëlzeni janë të prekur nga vendimi DASH, si persona të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA. Vetë Berisha e ka konsideruar të pabazë këtë vendim duke kërkuar që SHBA-të të bëjnë publike çdo provë që kanë kundër tij.

Exit mobile version