Bota

Borell: Bashkëpunimi BE-SHBA do ta ndihmojë dialogun Kosovë-Serbi

Published

on

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, konfirmoi se, së voni, ka biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Borell tha se tani ekziston një bashkëpunim shumë i mirë midis Uashingtonit dhe Brukselit për çështjen e dialogut.

“Pala amerikane nuk po përpiqet më për t’u fuqizuar në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Ky bashkëpunim i ngushtë do ta ndihmojë dialogun”, tha Borell për gazetarët në Bruksel.

Borell kryesoi të hënën një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së, ku i informoi të pranishmit për rundin e fundit të bisedimeve Kosovë-Serbi, që u mbajt më 15 qershor.

Në këtë takim, për herë të parë u përballën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Pa hyrë në detaje, Borell u tha gazetarëve se ai u ka paraqitur ministrave një raport për rrjedhën e takimit të fundit, si dhe i ka informuar ata për qëllimin për të mbajtur edhe një takim të kësaj natyre përpara fillimit të pushimeve verore.

Gjatë takimit të parë, Kurti dhe Vuçiç ranë dakord vetëm për nevojën e vazhdimit të dialogut. Është paralajmëruar se takimi i radhës mund të mbahet në fund të korrikut.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011. Procesi është ndërmjetësuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian dhe është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Qëllim i bisedimeve është arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme.

Exit mobile version