Connect with us

Kuriozitete

Ç’duhet të vishni në takimet e para për të mos zhgënjyer kurrë!

Published

on

Për çdo vend të mundshëm, keni disa këshilla të përgjithshme që për të mirën tuaj, ndiqini!

Në restorant ose kinema

Ndodh që, kur një mashkull pëlqen vërtet një femër, në takimin e parë, ai nuk arrin të gjejë temat e duhura për të diskutuar dhe vetëm skuqet e djersit, pa mundur të lidhë dot dy fjalë. Çfarë duhet bërë? Vendtakimi ideal është kinemaja. Zgjidhni të shihni një film komik, batutat e të cilit do t’ju ndihmojnë të thyeni akullin. Mund të zgjidhni edhe një triller, filma që lënë gjithmonë një dritare hapur për të diskutuar. Ndërkohë, para takimit, përgatituni të lini përshtypjen e duhur. Përshtypja e parë është dhe më e rëndësishmja e thuajse gjithmonë përcakton vazhdimin ose ndërprerjen e historisë.

Për takimin e parë në kinema, zgjidhni një palë xhinse dhe një bluzë me një dekolte të këndshme ose me shpatulla jashtë. Sigurohuni të visheni casual, por edhe chic. Zgjidhni një palë xhinse me prerje cowboy: janë një rikthim i viteve ’70 dhe super in këtë sezon. Bluzën, zgjidheni duke iu përshtatur trupit. Nëse keni bust të bukur, atëherë sigurohuni ta nxirrni në pah nëpërmjet një bluze të puthitur mirë pas trupit. Nëse keni probleme me pjesën e sipërme, atëherë një këmishë e bollshme mëndafshi e bardhë do të ishte ideale. Zgjidhni një palë taka mesatare që të keni rehatinë e të ecurit. Mos harroni: ecja është një nga pikat e forta, që vepron si afrodiziak në mendjen e një mashkulli. Mund të zgjidhni edhe një palë sandale ortopedike, të cilat kombinohen jashtëzakonisht bukur me xhinse stil cowboy.

Restorant

Për të shkuar në restorant, zgjedhja është më e thjeshtë: zgjidhni fustanin e vogël të zi. Me të, do të dukeni seksi, por jo vulgare. Në takimin e parë, asnjëherë mos e ekzagjeroni me aksesorët. Meshkujve u pëlqejnë gjërat e thjeshta, sepse nuk kanë të njëjtën mprehtësi fashion si femrat, ndaj aksesorët e shumtë mund t’i keqinterpretojnë si një përpjekje të madhe për të rënë në sy. Me fustanin e vogël të zi, mund të zgjidhni një zinxhir të hollë për ta vendosur në qafë, jo perla, të cilat ju rrisin në moshë, dhe një palë vathë, të cilët mund të jenë të vegjël ose mesatarë. Me këtë lloj fustani shkojnë gjysmë-këpucët (pump). Mundësisht, zgjidhini në ngjyrë neutrale, sepse ju rrisin gjatësinë e kyçit të këmbës dhe ju tregojnë më elegante. Kompletojeni look-un me një kuletë mbrëmjeje në ngjyrë të zezë dhe të zbukuruar me aksesorë, në mënyrë që t’i jepni më shumë gjallëri look-ut.

Nëse do të kaloni disa orë një club

Nëse në takimin e dytë jeni bërë aq të afërt me njëritjetrin, sa mund të argëtoheni së bashku në një night club, atëherë kini kujdes të mos i shtyni gjërat shumë shpejt në intimitet, duke u veshur në mënyrë të gabuar. Zakonisht në club lejohen ekzagjerimet, por kurrë, në asnjë mënyrë, kur jeni duke dalë me dikë me të cilin dëshironi të keni një lidhje serioze! Zgjidhni më mirë një palë pantallona trup (jumpsuit) me prerje dhe ngjyra klasike. Janë klasike, por edhe moderne njëkohësisht; janë të rehatshme dhe, për më tepër, ju çlirojnë nga ankthi i kombinimit të pjesës së poshtme me atë të sipërme. Mund ta ekzagjeroni me aksesorët. Zgjidhni zinxhirë të gjatë për qafën dhe vathë të mëdhenj. Vishni një palë gjysmë-këpucë me platformë të ekzagjeruar, në mënyrë që t’i keni sa më të rehatshme.

Një drekë jashtë Tiranës

Mirë se vini në takimin e tretë! Me siguri, ai ju pëlqen kaq shumë, sa dëshiron jo vetëm t’ju njohë më mirë me biseda që zgjasin orë e orë, por dëshiron edhe t’ju lërë mbresa e njëkohësisht të kujdeset për ju. Në takimin e tretë, me siguri do t’ju ftojë në një drekë në një ambient më casual, ndoshta në ndonjë piceri me emër brenda qendrës së kryeqytetit, ose në një drekë në restorantet e periferisë, që ofrojnë falas bukuritë natyrore. Në rastin e parë, zgjidhni pak a shumë të visheni me të njëjtin stil, si në takimin e parë në restorant.

Në rastin e dytë, nëse shkoni për drekë në një vend piktoresk jashtë kryeqytetit, atëherë duhet të merrni parasysh territorin e thyer e të papërshtatshëm për krekosje të tepërta. Ndaj zgjidhni një fustan pambuku të rehatshëm, të cilin mund ta kombinoni me një palë këpucë balerine në ngjyrë të ëmbël, duke iu përshtatur ngjyrave të fustanit. Mos harroni të merrni me vete edhe një bluzë të trikotuar. Vjeshta ka ardhur e, pas një dreke të mirë, mund të keni pak ftohtë.

Në shtëpinë e tij ose tuajën

Takimi i pestë mund të jetë edhe vendimtari për lidhjen tuaj. Keni kaluar me sukses sikletin e takimit të parë, keni parë njëritjetrin të kërceni në club, nuk bezdiseni nga mënyra se si hani apo se si silleni në dreka më casual, kapërcyet më sukses edhe krekosjen në vinoteka… Ka ardhur koha të bëheni më intimë. Jeni në takimin e pestë dhe e keni ftuar për drekë në shtëpinë tuaj. Nuk ka fare rëndësi se çfarë gatuani për drekë, fundja mund të porosisni jashtë dhe gatimin ta ngrohni kur ai të jetë te porta.

Për këtë rast, më shumë se nga të gjitha rastet e mësipërme, zgjedhja e duhur e veshjes do t’i japë ngjyrën takimit. Dhe nuk bëhet fjalë për atë që duket në sipërfaqe, por çfarë fshihet nën veshje. Zgjidhni një palë të brendshme sexy. Meshkujt janë krijesa vizuale. Nëse doni të ndizni pasionin e tyre, duhet t’u jepni pamjen e duhur. E nuk ka pamje më të bukur sesa një palë të brendshme me tyl dhe dantella! Zgjidhini në ngjyrë të kuqe ose të zezë dhe pastaj e dini vetë.