Aktualitet

Degradimi i Edi Ramës nga Satirist Politik në një Sa-ndyrist Plak

Published

on

Nga Ermal  Mulosmani

Prej dy ditësh, gjithë opinioni publik në Shqipëri, ka mbetur i shokuar nga shthurja totale e Kryeministrit. Një acarim kolektiv, të përmasave të tilla, është konstatuar vetëm në rastet ekstreme të inçesteve, pedofilive apo përdhunimeve maniake. Vetëm në raste të tilla, i madh e i vogël lëshohet në mallkime, sharje dhe thirrje barbare për ndëshkim. Por çfarë ndodhi që njerëzit u zhgënjyen kaq shumë nga gojështhurësia perverse e Atij që i qeveris? Çfarë e detyroi deri edhe Elisa Spiropalin, kanakaren e njohur të Kryeministrit,  të deklaronte: “Nuk u ndjeva mirë”?!

Ngjarja skandaloze ndodhi në një nga transmetimet e përditëshme televizive, 3-4 orëshe, të Kryeministrit.

ERTV ishte lidhur me të gjitha stacionet televizive të mundshme shqiptare, shto këtu transmetimet online që kapnin dhjetëra mijëra ndjekës.

Megastari ynë televiziv, në një superdekor teknologjik e ndriçim llamburitës, kishte vendosur të krahasonte të përzgjedhurit e tij për deputetë me kundërshtarët, siç i quante ai “të fosilizuar”. Për këtë qëllim kishte seleksionuar foto nga të dy palët (kuptohet më të mirën e mundshme të socialistit dhe më denigruesen e mundshme të kundërshtarit) dhe pyeste auditorin që e ndiqte gojëhapur: “Do votoni kandidatin socialist  apo këtë tjetrin këtu”.

Kjo është një strategji që e bëjnë rëndom ndjekësit e Partisë Demokratike në rrjet. Zgjedhin foto të Lulzim Bashës me flokët pis me brilantinë, veshjen shik dhe pamjen elegante e shikimin vizionar e përballë tij vënë foton e Ramës duke bërtitur, hakërryer, tallur, lakuriq etj etj. Kur e shikonim përditë nga militantët vinim buzën në gaz nga  naiviteti fëmijëror dhe mungesa e fantazisë.

Dje Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, i vetëquajtur pasues i Nolit dhe i Konicës, po imitonte një stil adoleshentësh pa fantazi. Sigurisht, Kryeministri Rama, nuk mund të linte pa sikterisur veset e kandidatëve kundërshtarë për të bërë pak diferencë me militantët e forumit rinor të PD-së.

Gjithçka ishte e pranueshme (le të themi kështu) derisa në ekran u shfaq foto e Grida Dumës. Ishte një foto nga ato që shkrepen qëllimisht, nga fotografët perversë, e cila, afronte mikrofonin te goja e hapur, një aludim i hapur i seksit oral. Të gjithë shtangën! Si mundet të degradonte Kryeministri deri këtu? Si ka mundësi që nxënësi i Konicës dhe Nolit të na servirte një vulgaritet neveritës për elegancë dhe për satirë politike? Mirëpo kjo nuk mjaftoi. Për çdo njeri që mund të ishte i pavëmendshëm, që nuk i kishte sytë në TV, Kryeministri  shtoi edhe komentin: “Gridare Gridare Gridare oh oh oh”. (nga italishtja gridare-bërtet).

Exit mobile version