Aktualitet

“Droga është e shokut”, zbulohet mashtrimi i Azem Hajdarit, si e fundosën përgjimet në qeli dhe një faturë në çantën me 5 doza

Published

on

“Droga është e shokut, unë nuk konsumoj lëndë narkotike. Tutat janë të shokut tim që ia mora te shpia, nuk e dija çfarë kishte në xhepa”.

Kështu ka thënë në dëshminë e parë djali i vogël i Azem Hajdarit dhe ish-gjyqtares së Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari. Ai mban të njejtin emër me babain.

Mirëpo hetimet kanë zbuluar se ky ka qenë një mashtrim, një dëshmi e rremë nga i riu pasi ai është përgjuar në qeli, aty ku qendronte së bashku me shokun e tij Ergi Gjumsi. Në total djemve u është gjetur 8.8 gram lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa, e sekuestruar nga Policia e Elbasanit ditën e ndalimit të tyre.

Duhet thënë se në makinë me djemtë ishte dhe një vajzë nga Lushnja, që besohet të jetë e fejuara e Azem Hajdarit. Nga përgjimet në qeli është dëgjuar se Hajdari ka rënë dakord me shokun e tij Ergi Gjumsi që droga të thuhej se ishte në posedim të këtij të fundit, raporton gazetari Elton Qyno.

Po çfarë ndodhi një ditë pas arrestimit?

Dy miqve u është komunikuar arrestimi dhe akuza e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Për shkak se Azem Hajdari, është në vitin e fundit të shkollës dhe për shkak se ende, prokuroria nuk është njohur me rezultatet e akteve të ekspertimit-biologjik, është kërkuar caktimi i masës së “arrestit në burg” me afat 1 mujor.

Pritet që ditën e nesërme të vendosë gjykata e Elbasanit.

Dëshmia e Azem Hajdarit

“Unë nuk jam përdorues i asnjë lloj lënde narkotike. Në 23 korrik kam shkuar në shtëpinë e shokut tim Ergi Gjumsi për t’u nisur për në Pogradec. Para se të niseshim i kam marrë tutat dhe një bluzë, këto që kam veshur. Në Elbasan u ndaluam nga policia dhe në xhepin e tutave na gjetën një cigare. (policët nga era dhe materiale i dukshëm, dyshojnë kanabis sativa). Unë nuk kisha dijeni se çfarë kishin tutat brenda, madje dhe çanta ku u gjetën dozat e tjera s’është e imja, por e Ergit”.

Dëshmia e Ergi Gjumsi

“Jam përdorues i kësaj lënde narkotike prej disa vitesh dhe për herë të fundit kam konsumuar ditën e djeshme. Lëndën narkotike deklaroj se e kam blerë atë ditë te një person të cilin nuk e njoh, në afërsi të vendit të quajtur “Parku i autobuzave” në qytetin e Tiranës. Lidhur me dozat e gjetura unë deklaroj se kam blerë pesë cope me qëllim për ti konsumuar gjatë pushimeve verore…”.

Nga veprimet e kryera rezulton se çanta ku është gjetur lënda narkotike i përket personit të arrestuar Azem Hajdari, pasi në këtë çantë gjendet dhe fatura e parkimit të mjetit me të cilin ai së bashku me të dashurën e tij kanë qenë te një lokal me datë 18 korrik 2021.

Kujtojmë se “në datën 23 korrik 2021 rreth orës 19:50 punonjësit e policisë së Elbasanit kanë kontrolluar automjetin tip ”Audi” me targe AA 330  YZ, që lëvizte nga Bradasheshi në drejtim të Elbasanit. Në makinë udhëtonin 3 persona, drejtuesi i automjetit ishte Ergi Gjumsi, pasagjer në vendin e parë, Azem Hajdari dhe një vajzë, e fejuara e këtij të fundit, e ulur në sediljen e pasme.

Gjatë kontrollit fizik të Azem Hajdarit, në xhepin e majtë të tuteve sportive është gjetur një cigare të dredhur, me filtër, e mbushur me lëndë e dyshuar si ajo e kannabis sattiva. Ndërkohë gjatë kontrollit fizik të automjetit me targa AA 330 YZ në sediljen e pasme është gjetur një çantë.

Brenda saj janë gjetur 5 paketime  të mbështjella me letër alumini ngjyre varaku, ku brenda tyre kish material bimor i cili për nga aroma dhe karakteristikat ngjason me atë të lëndës narkotike bimore te llojit  ”Cannabis sattiva”. E gjithë sasia e drogës e sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ishte 8.8 gramë, duke përfshirë dhe ambalazhin”, njofton prokuroria.

Exit mobile version