Connect with us

Uncategorized

“E bën dot qirje? Apo ke hall të mos të kanoset…”/ Idrizi i përgjigjet Ramës: Je mësuar me sekserë

Published

on

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama.

Në një deklaratë për mediat, Idrizi thotë se Rama “është mësuar të bashkëpunojë me sekserë që nga momenti i parë kur u bë ministër i Kulturës, marrja e Partisë Socialiste e deri te mbajtja e pushtetit, po përmes sekserëve”.

“Edvin Rama nuk ka faj që kujton se të gjitha punët bëhen me sekser. Me sekser u bë ministër, me sekser kryetar bashkie, me sekser bleu Partinë Socialiste, mori pushtetin me marrëveshjen e sekserit të Serbisë, mbajti pushtetin me sekser grek, po mban peng qeverinë me oligarkët sekserë.

Por, kur të përmendë Çamërinë, Shpëtim Idrizin duhet të ketë kujdes se shumë të palara mund të dalin. Nuk është Shpëtim Idrizi asnjë nga sekserët që i ulen e i ngjiten në zyrë për të blerë çamë apo kosovarë.

Ti e di se sa sekserë të kam kthyer mbrapsht, dhe nga Vlora ku flet duke harruar që dhëmbët nuk janë vetëm për të kafshuar, por dhe për të mbajtur brenda gojës, fjalët që mendja s’ti mban dot”, shprehet Idrizi.

Kreu i PDIU thekson se nuk do të harrohet dhuna ndaj aktivistëve të kësaj force politike dhe Shoqatës “Çamëria”, ditën kur Tiranën e vizitonte ministri i Jashtëm grek.

Marrëveshja e PDIU me PD, thekson Idrizi, ka për program çështjen Çame, atë që sipas tij qeveria aktuale nuk e adresoi asnjëherë.
Idrizi sqaron edhe rolin e kreut të PBDNJ, Vangjel Dule, në koalicionin opozitar.

“PDIU, Shoqata “Çamëria” dhe unë, nuk ta harrojmë dhunën, goditjet, gjakosjen dhe arrestimin e 25 anëtarëve të Shoqatës “Çamëria” nga policia jote, për t’i bërë qejfin ministrit të Jashtëm grek. Shkon në Vlorë dhe thotë broçkulla si DHULEJA (shërbëtor) më i mirë i Greqisë.

PDIU dhe Shpëtim Idrizi kanë bërë vetëm një marrëveshje me Partinë Demokratike. Nuk dimë që Dulja të jetë ndonjë gjë në PD.

Marrëveshja ka për program çështjen Çame. Kaq. Të tjerat janë thashetheme grash të këqija si Tirja e qeverisë dhe Lali Fiku”, vijon kreu i PDIU.

Më tej, Shpëtim Idrizi përgenjështron edhe deklaratën e Ramës se në Qarkun e Vlorës, në listat e koalicionit opozitar nuk është kandiduar asnjë figurë nga komuniteti Çam.

“Po në Vlorë gënjen dhe thotë se nuk paska çam në listën e opozitës në këtë qark. Po pse, çfarë është numri 5 i listës, Gëzim Ademaj që kandidon në vend të sigurtë me siglën e PDIU-së. Po Jolio Dine çfarë është? Nuk është çam?

Po zonja e rreshtuar e nënta në listë nuk është çame? Padyshim që është, madje ka qenë dhe në zgjedhjet famëkeqe të 2017-ës në listën tonë të PDIU-së.

Ke tetë vjet që je deputet në Vlorë dhe kurrë nuk ke propozuar një çam apo çame në listat e Rilindjes, madje dhe një e “rrëmbeve” nga lista e PDIU-së në 2017”, thekson mes të tjerash kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi.

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi duke iu drejtuar kreut të qeverisë i kërkon që përpara se të përmendë Çamërinë dhe vetë atë, “le të shkojë në Kllogjer dhe të vendosë një tufë me lule te varrezat monumentale, në kujtim të viktimave çame të gjenocidit grek”.

“Edhe një herë po të them mos i lësho pëllumbat kur të përmendësh Çamërinë, aq më shumë në Vlore. Shko bëj të paktën një vizitë në Çole, ku jetojnë çamët. E ke 5 minuta nga qendra, por e ke lënë si Kandahar pa ujë e drita. Pse e ke bërë?

Apo meqë janë çamë! Dhe e fundit para se të përmendësh Çamërinë dhe Shpëtim Idrizin shko deri në Kllogjer vendos një tufë lule në varrezat monumentale të viktimave Çame që i ndërtuam, ne bijtë e Çamërisë. Shko vendose një lule dhe hesht vetëm një minutë.

E bën dot qirje? Apo ke hall mos të kanoset Nikollas Gejxh apo uzaqet e Athinës”, i drejtohet Idrizi Ramës.