Connect with us

Aktualitet

E Diela e mbylljes së Fjetjes së Hyjlindëses

Published

on

Në Kishë “Apostull Pavli & Shën Asti”, në Durrës është kremtuar sot E Diela e mbylljes së Fjetjes së Hyjlindëses. 

 

Në datën 15 gusht, të krishterët orthodhoksë kremtuan Fjetjen e Hyjlindëses dhe gjithmonë Virgjëreshës Mari. Dita e sotme përbën mbylljen e kësaj feste që quhet ndryshe edhe “Pashka e verës”.

E kremtja e Fjetjes së Hyjlindëses shoqërohet me dy javë kreshmimi. Kjo festë, e cila quhet edhe “Marrja”, është për të përkujtuar vdekjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Nënës së Krishtit. Ajo shpall, që Maria “u mor” nga Perëndia, në mbretërinë qiellore të Krishtit, dhe përmbushjen e ekzistencës së saj trupore dhe shpirtërore.

Hyjlindësja e Tërëshenjtë bëhet shkalla nëpërmjet së cilës, Perëndia zbriti në botë dhe njeriu u ngjit drejt Perëndisë. Ajo është tempulli i shenjtëruar ku Perëndia denjoi të banojë. Hyjlindësja e Tërëshenjtë është mburrja e virgjëreshave, gëzimi i nënave, mbështetja e besimtarëve dhe vendi ku banoi Shpirti i Shenjtë.

Të kremtet e Kishës orthodhokse janë diakronike, por edhe aktuale. Në këto ditë të vështira, ku të gjithë kërcënohemi nga ky virus i mistershëm e vrastar, ku jetët tona kanë ndryshuar, ku pasiguria për të ardhmen shtohet, e kremtja e Fjetjes së Hyjlindëses na jep kurajo, forcë dhe siguri.