Bota

Fillojnë lëvizjet e Trump, zbulohet plani për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë përmes zgjedhjeve të ardhshme

Published

on

Ish Presidenti Donald Trump ka të ngjarë të parashtrojë mundësinë e kandidimit përsëri për president në vitin 2024, tha të hënën organizatori i një konference konservatore që do të zhvillohet këtë fundjavë dhe ku ish-presidenti do të mbajë fjalimin e tij të parë të rëndësishëm pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.

Matt Schlapp, kryetari i Bashkimit Konservator Amerikan, i cili do të drejtojë Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Orlando të Floridës, ku zoti Trump do të mbajë fjalimin të dielën, tha se pret që ish-presidenti të flasë për një rol aktiv të tij në politikën e Partisë Republikane.

“Nuk jam i sigurt se çfarë do të thotë ai për vitin 2024, por jam shumë i bindur se ai do ta bëjë të qartë se kjo është një mundësi shumë konkrete,” tha zoti Schlapp për agjencinë e lajmeve Reuters.

Një përfaqësues i zotit Trump nuk pranoi të komentojë se çfarë mund të thotë ish-presidenti në konferencën katërditëshe. Zoti Trump ka thënë më parë se do të shikojë mundësinë për të garuar përsëri për president.

Ai ka sinjalizuar se synon të luajë një rol në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022, ku do të përcaktohet nëse demokratët do të mbajnë kontrollin e Kongresit, duke mbështetur ata kandidatë, që do të sfidojnë republikanët e Kongresit, të cilët votuan për ta hequr ose ndëshkuar atë nën akuzën e nxitjes së trazirave vdekjeprurëse në ndërtesën e Kongresit amerikan më 6 janar.

Por nëse ai flet për të kandiduar përsëri, kjo do të bënte që në kampin republikan të mos dilnin kandidatë të tjerë për Shtëpinë e Bardhë, ndërkohë që aspirantët për garën e vitit 2024 do të grumbullonin në heshtje mbështetës. Kandidatë të tjerë të mundshëm republikanë për zgjedhjet e 2024-s përfshijnë Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe guvernatoren e Dakotës së Jugut Kristi Noem, të cilët do të marrin pjesë gjithashtu në konferencën e Floridës.

Një sondazh mes pjesëmarrësve të konferencës mbi preferencat e tyre për 2024-n pritet të krijojë debate në mbarim të konferencës të dielën.

Donald Trump shpenzoi dy muaj pas humbjes në zgjedhjet e 3 nëntorit ndaj demokratit Joe Biden duke pretenduar pa fakte se disfata e tij ishte rezultat i mashtrimeve të gjera zgjedhore, një fushatë kjo që përfundoi me trazirat e 6 janarit dhe që i bëri disa republikanë të njohur të dilnin hapur kundër tij.

Udhëheqës tradicionalë të partisë, të tillë si senatori Mitch McConnell, do të donin që zoti Trump të anashkalohej, ndërsa mbështetësit e tij besojnë se energjia që ai gjeneron në bazën konservatore të partisë mund t’i ndihmojë republikanët të fitojnë në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022.

“Donald Trump do të qëndrojë në lojë dhe do të përfshihet në zgjedhjet paraprake. Ai do të japë opinione dhe do të mbajë fjalime. Kjo i frikëson mjaft republikanët tradicionalë. Ata janë shumë të shqetësuar se ai do të vazhdojë të ketë ndikim. Këshilla ime për ta është të mësohen me këtë gjendje”, tha zoti Schlapp.

Ai tha se ish-nënpresidenti Mike Pence, refuzoi një ftesë për të folur në konferencë këtë vit. Analistët thonë se zoti Pence ka patur aspirata për presidencën.

Exit mobile version