Connect with us

Astrologji

Flamuri gjigant 800 m2, do shpaloset në qendër të Fierit për festat e Nëntorit

Published

on

Me një sipërfaqe që tani kalon 800 m², ky është flamuri kombëtar më i madh, i hapur për 12 vite në stadiumet ku ka luajtur kombëtarja kuqezi, si dhe në festa brenda e jashtë kufijve. Artur Lati, një rrobaqepës në pension, dhe Kristaq Ziu, qytetar nga Fieri, tregojnë se ideja për të prodhuar një flamur të përmasave kaq të mëdha lindi në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kur ky flamur u shpalos për herë të parë në qendër të Fierit.

Më pas, ai është shfaqur edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si dhe në Prishtinë dhe Prekaz, duke mbuluar kullën e Jasharëve.

“Ideja ka lindur 12 vite më parë, në 100-vjetorin e Pavarësisë. Ky flamur është shfaqur për herë të parë në Fier, më pas në Vlorë, në stadiumet ku ka luajtur ekipi kombëtar, si dhe në Kullën e Jasharëve, në Mitrovicë dhe Prishtinë. Sivjet po bëjmë përgatitjet për datën 28 nëntor. Ky flamur fillimisht ishte 500 m² kur u krijua, ndërsa tani e kemi zmadhuar në 800 m². Do të shpaloset në qendër të Fierit”, tha Artur Lati.

Për Artur Laten, edhe pse me mbi 50 vite përvojë si rrobaqepës, ky ka qenë një projekt i veçantë. Përpunimi i një flamuri kaq të madh, në një rrobaqepësi modeste, ishte një sfidë që nuk e kishte hasur më parë.

“Nuk më kishte ndodhur kurrë të qepja një sipërfaqe kaq të madhe. Jam shumë i kënaqur, sepse kam realizuar diçka unike që nuk e kisha bërë më parë. Fillimisht, flamuri ishte 500 m² kur u shfaq në Fier dhe në disa vende të tjera. Tani po i bëjmë riparime dhe zgjerime, duke e bërë 800 m². Jemi një grup me shumë vite përvojë bashkë, që nga vitet ’90. Për një flamur të këtyre përmasave, më duhej patjetër ndihma e kolegëve”, tha ai.

Flamuri simbolik vazhdon të frymëzojë shqiptarët, duke u shfaqur në ngjarje të rëndësishme kombëtare dhe duke mbartur një histori krenarie e sakrifice./Top-Channel.tv