Connect with us

Bota

Gafa që i kalbi në burg, dy shqiptarët në Greqi lihen të lirë, policia ngatërroi pluhurin e drurit me kokainë

Published

on

Dy shtetas shqiptar janë liruar nga autoritetet greke, pasi akuza “trafik droge” për të cilën ishin arrestuar nuk është vërtetuar me prova. Kjo pasi substanca e bardhë e sekuestruar në makinën e tyre rezultoi se ishte pudër adezivi dhe jo kokainë.

Sipas asaj çfarë raportojnë mediat greke, prokuroria tërhoqi akuzat për posedim dhe trafik droge kundrejt dy shqiptarëve të moshës 38 dhe 44 vjeç, pasi këta të fundit dolën në gjykatë të mërkurën në qytetin verior të Selanikut.

Një laborator shtetëror ku u analizua pudra tha se substanca e sekuestruar nga policia, që fillimisht u besua se ishte kokainë, në fakt ishte pudër për ngjitjen e drurit, pjesërisht e kristalizuar për shkak të temperaturës së lartë në bagazhin e makinës së tyre.

Dy shqiptarët u mbajtën të ndaluar për 2 ditë, ndërsa autoritetet konfiskuan telefonat e tyre celularë, makinën dhe 2,900 euro, që dyshonin se ishin përfitime nga trafiku i drogës. Megjithatë, kur u vërtetua se në fakt pluhuri i bardhë nuk ishte kokainë, dy shqiptarët u lanë të lirë dhe iu kthyen edhe sendet e tyre.