Kronike

Hetohet gabim vdekja e rusëve, kthehen pas provat e Policisë! Eksperti: Nuk u morën sipas ligjit

Published

on

Kur pritej që në laboratorin e ISHP-së të kishte nisur ekspertiza për ujin e pishinës dimërore, pranë së cilës u gjet i vdekur Sergei, Natalia, Ekaterina dhe Nikita, veprimet hetimore në këtë pikë kanë ngecur.

Megjithëse Policia dhe Prokuroria e Kavajës deklarojnë se dërguan mostra uji dhe ajri, kryesisht për këtë të fundit as që është kryer ekspertizë që duhej realizuar brenda mbrëmjes së të premtes dhe as që janë kërkuar për ndihmë në atë moment ekspertë të shëndetit publik.

“Një kërkesë ka qenë vetëm për klorin dhe ujin. Sot, do të vijë kërkesa tjetër”, u shpreh dje për “Top Channel”, Arben Luzati, shef i Departamentit të Shëndetit dhe Mjedisi në ISHP.

Grupi i hetimit që po investigon vdekjen misterioze të katër turistëve rusë ka këqyrur dhe dërguar në mënyrën e gabuar pranë Institutit të Shëndetit Publik mostrat e pishinës, pranë së cilës u gjetën të pajetë trupat e katër qytetarëve rusë. Për këtë arsye, ISHP-ja e ka kthyer pas dhe ka kërkuar t’i dorëzohet në formën e duhur nga ligji. Gjatë intervistës, profesori Arben Luzati deklaroi se këto mostra duhet të ishin marrë nga specialistët.

“Mostra do të merret sipas kësaj rregulloreje dhe sipas këtij standardi. Për të qenë transparentë, oficerët e Policisë Gjyqësore kishin sjellë mostrën jo sipas kërkesave të rregullores. Kishin marrë mostrat vetë, kjo mënyrë duhet të rregullohet njëherë e mirë dhe të ndahen detyrat e secilit”, u shpreh ai.

HETIMI

Teksa këtë të premte mbushet një javë nga vdekja e mistershme, për të cilën ka disa versione, ndërkohë që Policia e ka referuar për akuzën e vrasjes, ISHP-ja pret t’i vendoset në dispozicion uji i pishinës dhe menjëherë pas kësaj të japë një përgjigje.

“Në rastin konkret, është përdorur klori pluhur dhe mostrat duhet të merren në mënyrë të veçantë”, shprehet profesori Arben Luzati. I pyetur nëse ndodh apo jo vdekja, si pasojë e helmimit nga klori, ai shprehet se nuk ka dëgjuar për ngjarje të tilla. “Ka irritime, vështirësi, që shkaktohet kur ka klor të tepërt. Por, deri në vdekje nuk kam dëgjuar. Flasim për pishina të mbyllura”, përgjigjet ai.

Grupi i hetimit ka dërguar gabimisht edhe disa mbetje ushqimore pranë ISHP-së që janë kthyer pas dhe janë dërguar për ekspertim pranë AKU-së. “Për analizat e ushqimeve ka një vit që ka dalë një rregullore e re”, tregon Luzati.

Të gjitha këto veprime ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën si është administruar vendngjarja dhe a kanë apo jo kapacitete institucionet shqiptare për të kthyer përgjigje shkencore dhe të pakontestueshme mbi vdekjen e rusëve, që u gjetën të pajetë nga recepsionistja gati një orë pasi kishin hyrë në pishinën dhe xhakuzin e resortit në Qerret të Kavajës. Kryefamiljari 60-vjeçar, Sergei Burenkov, mësohet se ka qenë ish-gjeneral ushtrie. Bashkëshortja e tij, Natalya Burenkova, ishte mësuese, dhëndri punonte në administratë, ndërsa e bija punonte në një kompani private. Fakti që Sergei Burenkov ka qenë në rangjet e larta të ushtrisë ruse, ngjall edhe më shumë dyshime për një vrasje të mundshme.

Exit mobile version