Connect with us

Aktualitet

I riu i qëlluar me armë në parcelën e kanabisit në gjendje të rëndë, SHÇBA shfajëson efektivin që e qëlloi

Published

on

Një ditë pas plagosjes nga policia e një të riu që akuzohet se po ruante një parcelë kanabisi në fshatin Gjorgoz të Fierit, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Auditin në Ministrinë e Brendshme shfajësoi forcat e rendit dhe e cilësoi reagimin të justifikuar.

“Nga hetimet paraprake të kryera në vendngjarje dhe nga deklaratat e dëshmitarëve u arrit në përfundimin se veprimet e punonjësit të policisë klasifikohen si të rregullta juridikisht dhe në përputhje me procedurat standarde të përdorimit të armës, duke qenë tërësisht në kushtet e mbrojtjes së nevojshme”, thuhet në njoftimin e SHÇBA-së.

Ndërkohë i riu i plagosur i identifikuar si Griseld Shpataraku, i cili sipas policisë ishte një ditë më parë “për momentin jashtë rrezikut për jetën”, u dërgua të martën me urgjencë në Tiranë dhe gjendja e tij raportohet e rënduar. Mjekët e spitalit të Fierit i thanë BIRN se plumbi e ka lënë të paralizuar dhe është dërguar për mjekim të specializuar në QSUT. Në Patos, aty ku Shpataraku jeton i vetëm, fqinjët thanë se ai nuk ishte person problematik.

SHÇBA, e cila po zhvillon tani hetimet për çështjen, bëri me dije se në vendin e ngjarjes ishin gjetur 270 kubikë me fidanë kanabisi dhe 23 rrënjë të mbjella. Po ashtu në cilësinë e provës materiale në pyllin e Gjorgozit u gjetën 1 armë automatike, 2 krehra me fishekë, një çadër fushimi, 270 kubikë me fidanë kanabisi, 23 rrënjë të mbjella në dy parcela si dhe një aparat celular. Ndërkohë një person tjetër 23 vjeç nga Patosi u shpall në kërkim.

Ndaj Shpatarakut janë ngritur akuzat e “Kultivimit të bimëve narkotike”, “Mbajtjes pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.