Connect with us

Politike

Igli Cara takim me banorët në Spitall: “ Çdo gjë fillon pikërisht tek ekonomia familjare”

Published

on

Igli Cara, kandidati për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të banorëve të zonës së Spitallës në Durrës.

Sipas Carës, zgjedhjet e 25 prillit premtojnë ndryshimin që njerëzit presin ndërsa deklaroi se “ndryshimi do të fillojë me Partinë Demokratike pikërisht nga ekonomia familjare, me ulje të çmimeve dhe taksave.”

“Çdo gjë fillon pikërisht tek ekonomia familjare, – tha Cara, – dhe Partia Demokratike ka në programin e saj uljen e çmimit të energjisë elektrike, uljen e çmimit të naftës dhe uljen e taksave.”

Cara falënderoi të pranishmit në takim dhe i nxiti ata për kujdes në kushtet e pandemisë së sëmundjes COVID-19 pasi, sipas tij, “qeveria i kushton më shumë kohë dhe fonde luksit të vet se sa halleve të qytetarëve dhe shpenzimeve të tyre nëpër spitale.”

“Ky është paradoks, pasi investohen miliona euro për zbukurime, por nuk gjenden fonde për të paguar ilaçet e qytetarëve të prekur nga COVID-19″, – tha Cara. – “Janë investuar miliona euro për zbukurimin e qendrës së qytetit, ndërkohë që ju këtu në Spitallë keni mbetur siç keni kenë tetë vite më parë.”

Teksa vuri në dukje se, sipas të dhënave nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, dëmi ekonomik i shkaktuar nga qeveria e Ramës është 8 miliardë euro, kandidati Cara shtoi se “kjo është një Shqipëri e vjedhur.”

“Rritje të taksave, rritje të çmimeve, përqendrim i çdo gjëje në vetëm disa duar oligarkësh dhe vjedhje e gjithçkaje është ajo çfarë Rama ka bërë. Ai e ka vjedhur këtë vend, na ka vjedhur ne, ai e ka zhytur këtë vend në borxh.”, – nënvizoi kandidati demokrat.

Ai u kërkoi pjesëmarrësve në takim që të përqafonin programin e Partisë Demokratike sepse ishte programi më i mirë. “Partia Demokratike ka programin më të mirë, një program me të cilin e gjithë Shqipëria fiton,” – thekoi Igli Cara. #ShqipëriaFITON