Connect with us

Bota

“Isha e shkatërruar në çdo drejtim”- Rrëfimi i një ish-dëshmitareje të Jehovait: Drama e madhe që përjetova. Kur i lashë, rilinda!

Published

on

Amber Scorah* ishte gjenerata e tretë nga familja e saj që besonte se për çdo pyetje, apo sfidë të vështirë që jeta mund t’i vinte përballë e kishte përgjigjen. Përgjigjia ishte Armagedon; gjithçka është e shkruar. “Nëse bota është drejt fundit, pse duhet të shkosh në kolegj? Përse të duhet karriera”, thotë Amber. Kështu veproi edhe ajo dhe të gjithë anëtarët e tjerë të kishës që besonte. Në vend të kësaj, ajo dhe të tjerët ja kushtuan jetën përhapjes së asaj që besonin.

Amber u martua 22 vjeç dhe së bashku me bashkëshortin u zhvendos në Kinë për të punuar si misionare. Gjithçka duhej të mbahej sekret, pasi predikimi në Kinë ishte i paligjshëm. Por, si për çdo gjë të ndaluar, kureshtja është e madhe. Për këtë arsye, puna në Shangai si misionare e fshehtë për “të shpëtuar shpirtra” ishte me ritme gjallëruese.

 

“Është si të kesh gjetur një argument ekzistencialist. Një mision për jetën. Nuk ka asgjë krahasuese kur merr dikë që ka të tjera pikëpamje për jetën, një sistem besimi krejtësisht tjetër dhe i flet e i flet e në fund shikon që ka ndryshuar mendim. Është si të të vulosë në mendje se përfundimisht ti je me të vërtetën”, kujton Amber.

 

Megjithatë, një seri ngjarjesh të mëvonshme e lëkundën bindjen e Amber për të vërtetën. Ato çuan në humbjen e besimit dhe nxitën një apokalips të brendshëm për të. Për këtë, Amber Scorah ka botuar edhe një libër me kujtime me titull “Të lësh Dëshmitarët: Dalja nga një fe dhe gjetja e jetës”.

 

Në Shangai, Amber filloi punë tek një “start up” i quajtur ChinesePod, që ofron kurse të gjuhës kineze në internet. Këtu mësoi të flasë gjuhën mandarine dhe këtu zhvilloi dhe drejtoi podcast-in “Dear Amber: The Insider Guide to Everything China”. Por, mes detyrave fillestare të saj ishte menaxhimi i aktivitetit online dhe korrespondenca me përdoruesit, detyrë që e vendosi në kontakt me përdoruesin me emrin Taipan, emri i vërtetë i të cilit ishte Jonathan.

 

“Jonathan ishte thjesht një dëgjuar, asgjë më shumë. Nuk kisha në plan që ta zhvilloja më tej marrëdhënien time me të, por ne thjesht filluam të flasim përditë. Temat e para të diskutimit ishin të thjeshta, çështje të ditës dhe më vonë evoluuan në çështje më komplekse e të thelluara”, kujton Amber.

 

Mes këtyre çështjeve ishin edhe vetë bazat e besimit të saj si pjesëtare e Organizatës “Dëshmitarët e Jehovait”.

 

“Në një moment i tregova për besimin tim. Më vonë ai më thotë se “Dëshmitarët e Jehovait” ishin të pestët në listën e besimeve të tij të preferuara. Ai bëri atë që mua as më shkonte ndërmend, që të edukoja dhe mësoja veten time përtej atyre që më ishin lejuar të lexoja; që ishin vetëm publikimet e organizatës tonë”, shton më tej Amber.

 

Megjithatë, për të qenë e ndershme, Amber thotë se edhe para këtij momenti ndjente hera-herës doza dyshimi mbi këndvështrimin që kishte për botën dhe njerëzit që e rrethonin deri në atë moment.

 

“Isha në një vend të huaj, në një kulturë të huaj dhe flisja një gjuhë të huaj, një gjuhë që për ta mësuar të ndryshon komplet mënyrën e të menduarit. Kjo më bëri që të dëgjoja me vesh tjetër të gjitha ato predikime që kisha dëgjuar deri në ato momente. Kuptoja se disa nga gjërat që vetë flisja dhe vetë dëgjoja tingëllonin çuditshëm, për të mos thënë çmenduri. Fillova të kuptoja se isha pak arrogante. Flisja me njerëz që kanë një histori dhe kulturë mijëravjeçare dhe u flisja për një besim 100-vjeçar duke u kërkuar që të hidhnin poshtë të gjitha ato çfarë kishin arritur prej mijëra vitesh”, tregon ajo.

 

Dyshimet ishin dyshime dhe ishte Jonathan ai që e detyroi të përballej drejtpërdrejtë me besimet e saj. Bisedat e thella me të vazhduan dhe gjatë një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u takua edhe fizikisht me të. Marrëdhënia shkoi përtej bisedave për besimin, duke u shndërruar në diçka më shumë. Amber thotë se në atë moment kuptoi që kishte arritur në një pikë pa kthim pas.

 

“E bukura është që nuk shkova të takoj Jonathan me qëllimin që të shkatërroja martesën time. Është e çuditshme sepse kur je pjesë e një besimi, ku i gjithë këndvështrimi yt është apokaliptik, i vetmi fund që di është apokalipsi dhe besimi im nuk është besim që thjesht mund të largohesh, sidomos kur je në një pozicion siç isha unë; një misionare shembullore, e martuar me një burrë të moshuar, me mision në një tokë të huaj. Nëse thjesht do të largohesha nuk do të funksiononte”, tregon ajo.

 

Por, qëndrimi nuk ishte më i njëjtë, Bashkëshorti, miqtë, familja dhe pjesa më e madhe e komunitetit të saj të besimtarëve e shmangnin dhe për më tepër as me Jonathan lidhja e krijuar nuk zgjati shumë.

 

“Nuk më ngeli rrugë tjetër, përveçse të largohesha për një fillim të ri. Në atë kohë po lexoja diçka ku dikush shkruante se “asnjëherë nuk mund të ndryshosh pa humbur diçka”. Vazhdimisht njerëzit kërkojnë ndryshimin në jetën e tyre, por nuk e arrijnë atë nga frika e humbjes. Nuk mund ta kesh të parën pa të dytën”, shtjellon më tej Amber.

 

Scorah lëviz për në Nju Jork, ku bie në dashuri dhe lind një djalë. Këtu pëson traumën tjetër, krejt të ndryshme. Në ditën e parë që e dërgoi fëmijën në çerdhe, ai vdiq papritur. Ishte 3 muajsh.

 

“Nuk mund të përshkruaj me fjalë vuajtjen. Isha e shkatërruar në çdo drejtim. Kur isha pjesë e Dëshmitarëve të Jehovait e kishim përgjigjen për çdo të papritur të jetës, përfshirë këtu edhe kur të vdes një njeri i afërt. Por, tingëllon si me kuptim kur i ke këto përgjigje, por realiteti është se nëse i ke përgjigjet për çdo pyetje që të ofron jeta dhe ato nuk janë të vërteta, atëherë janë të pakuptimta”.

 

“Mendova që mund të ketë një shpjegim për të gjitha këto pa përfshirë në mes besimin tim dhe sot besoj se në pjesën më të madhe të rasteve ka të bëjë me njerëzit e tjerë dhe me dashurinë. Kjo riktheu kuptimin për jetën time sërish”.

 

Jeta vazhdon dhe sot Amber dhe partneri i saj janë prindër të një vajze 3-vjeçare. Ajo thotë se ndjen mirënjohje për përvojën që ka kaluar.

 

“I jam mirënjohëse Kinës, sepse jam e sigurte që nëse nuk do të kisha udhëtuar për atje sot do të isha ende një Dëshmitare e Jehovait, që do të vazhdonte të mendonte se çdo ditë mund të ishte fundi i botës, pra duke e harxhuar jetën time për diçka që efektivisht është një mit”, tregon Amber.

 

Ajo shpreson që të vizitojë sërish Kinë dhe të takojë një ish-student me emrin Jean. Jean ndiqte predikimet e saj, por asnjëherë nuk u bë pjesë e Dëshmitarëve të Jehovait. Megjithatë, një miqësi mes tyre u zhvillua dhe sot Amber shpreson për një ritakim me të.

 

*Shënim: Amber Scorah është shkrimtare, gazetare dhe aktiviste kanadeze që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Artikulli i mësipërm është një përmbledhje e librit të saj me rrëfime “Të lësh Dëshmitarët: Dalja nga një fe dhe gjetja e jetës”, që qarkulloi në qershor të 2019-ës në mediat ndërkombëtare./ GazetaSI.al