Connect with us

Aktualitet

“Janë në rrugë të gabuar”, Azgan Haklaj: Gabimi fatal që bëri Ministria e Kulturës me trashëgiminë kulturore në UNESCO!

Published

on

Kreu i Unionit Artistik Kombëtar, Azgan Haklaj, akuzoi Ministrinë e Kulturës se i ka përjashtuar nga politikat shtetërore të kulturës, edhe pse, sipas tij, “ne jemi laboratori i platformës së bashkimit të kulturës shqiptare”.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, Haklaj tha se “Unioni ka afër dy dekada që ushtron veprimtarinë e tij me një sërë aktivitetesh, që nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, diasporë, me aktivitete të shumta kulturore. Synimi është integrimi i kulturës shqiptare nga treva në trevë. Mesazhet që i përcjell arti, vështirë se i jep politika. Pra, ky union ka ‘shkallmuar’ kufijtë. Ne jemi një popull me kulturë mijëravjeçare. Lahuta është shpirti Eposit të Kreshnikëve, që është për ne Thembra e Akilit, se është filli i identitetit etnik ilir”.

Më tej, Haklaj theksoi se UNESCO ka refuzuar Festivalin e Gjirokastrës, duke shtuar se me këtë ka dështuar jo vetëm Ministria e Kulturës, por edhe Akademia e Shkencave.

“Me refuzimin nga Unesco të Festivalit të Gjirokastrës nuk dështoi vetëm Ministria e Kulturës, por edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Unesco është magazinë e ruajtjes së kulturës. Ministria e Kulturës bëri një gabim fatal, shpalli kryevepër të trashëgimisë së popullit diçka që nuk ekziston. Vetë emri Tropojë nuk është trashëgimi kombëtare. Nëse ti e çon me këtë emër, se kërcimi është quajtur kërcimi i Malësisë së Gjakovës… Territori i Tropojës së sotme ka qenë bashkëjetesa iliro-dardane. I bie që disa shekuj para lindjes së Krishtit, Tropoja ka qenë qytetërim dhe më vonë është quajtur Malësia e Gjakovës. Nëse ti e çon me këtë emër, ti fillon dhe bashkimin kombëtar. Nuk ka kërcim bjeshke me tupan. Bjeshka ka dy evenimente të rëndësishme, qethja e deleve dhe festa më pas, që u kthyem shëndosh. Nuk ka kërcim bjeshke dhe nuk mund ta bësh trashëgimi kulturore, atë që nuk është e jotja. Ata e ngatërrojnë kërcimin e Tropojës me kërcimin e Rugovës. Dhe kjo e fundit nuk është kërcim tamam, por një tallava. Ne ju themi publikisht se janë në rrugë të gabuar. E vërteta është e hidhur, por është e bukur. E vërteta ka çmim, por ne jemi të përgatitur për ta paguar çmimin. Po e humbin dhe vallen çame, që është vallja klerikë. Problemet qëndrojnë tek emërtimi, sepse Unesco këtë ka dhe pastaj të bën historinë.

Ata bëjnë disa fletushka, ku thonë ‘a je dakord që të futet Vallja e Tropojës në UNESCO?’ Ne i kemi ftuar publikisht në debat grupin e ekspertëve të Ministrisë së Kulturës. Jemi të gatshëm të bëjmë një debat, ata nuk kanë asnjë investim për trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar. Neve Ministria e Kulturës na ka përjashtuar nga politikat shtetërore të kulturës, edhe pse ne jemi laboratori i platformës së bashkimit të kulturës shqiptare. Kemi qenë shumë bashkëpunues, të gjitha i kemi të dokumentuara”, u shpreh Haklaj.