Connect with us

Aktualitet

KAS shqyrton ankesat e partive, LSI: Në Dropull Vangjel Tavo dilte forcë e parë

Published

on

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka nisur mbledhjen sot zyrtarisht për të shqyrtuar ankesat e disa partive, përfshirë Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, për 9 qarqe. PD-AN dhe LSI kërkojnë rishikim të rezultatit në 9 qarqe.

Fjalën e mori i pari përfaqësuesi i LSI në KAS, Altin Kaziaj, i cili mori si shembull rastin e kandidatit Vangjel Tavo në Gjirokastër. Sipas LSI, vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për të ndaluar hyrjen e emigrantëve kishte si qëllim goditjen e LSI, ndërsa theksoi se LSI në Dropull do të ishte forcë e parë.

Por në çfarë faze është tashmë procesi pas 25 prillit?

Pas humbjes së opozitës në zgjedhje, Partia Demokratike, LSI, koalicioni ABEOK dhe kandidatët e Vetëvendosjes nuk njohin rezultatin e zgjedhjeve.

PD-AN ka dorëzuar 10 dosje voluminoze në KAS ku sipas saj faktohet tjetërsimi dhe manipulimin e votës së qytetarëve në 9 qarqe të vendit duke kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të pavlefshme dhe rivotim në këto zona.

Partia Demokratike ka ankimuar në KAS rezultatin për 9 qarqe konkretisht për Shkodër, Durrësin, Tiranën, Elbasanin, Fierin, Beratin, Gjirokastrën, Korçën dhe Vlorën. PD i quan këto zgjedhje si një masakër elektorale të treshes Rama-Doshi-Rakipi.

Eridian Salianji, përfaqësues i Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, deklaroi se kërkesat e opozitës, PD-LSI janë të pavlefshme.

“Në lidhje me kërkesën e PD efektin ligjor e ka zero, është kërkesë e mbështetur në deklarata politike të cilat në shumicë janë shpifje ndërsa në rastin më të mirë janë opinione”, tha ai.

Në seancën që është zhvilluar sot në KAS, përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Altin Kaziaj deklaroi se emigrantët që erdhën nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut u ruajtën me policë, pasi iu ishte marrë edhe adresa e shtëpisë.

“Qytetarët e Dropullit nuk e ushtruan të drejtën e tyre për të votuar.

Urdhri për ‘vetëkarantinimin e detyrueshëm’, për një periudhë dy javore për të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut dhe nga Greqia ka ndikuar drejtpërdrejt në pjesëmarrjen dhe rezultatin e votimit në zonën zgjedhje Qarku Gjirokastër. LSI do të dilte forcë e parë”, deklaroi Kaziaj..