Connect with us

Aktualitet

Koment/ Votimi i fundit i “limonit të shtrydhur”, Pandeli Majko

Published

on

Me siguri që Pandeli Majko do të ketë anulluar takimin me dentistin për të folur sot në kuvend pro shkarkimit të Ilir Metës.

Ai ka marrë fjalën pas Kujtim Gjuzit e Zef Shtjefnit, për të shpjeguar para deputetëve se përse herën e parë nuk kishte firmosur për shkarkimin e presidentit dhe se përse këtë radhë ka ndryshuar mendim

Arsyet pse kam dal sot për të nënvizuar pozitën time të vështirë. Kryetari i grupit parlamentar e di shumë mirë që unë e kam refuzuar ta firmos për herë të parë kur u iniciua shkarkimit i Presidentit Meta, arsyet janë të shumta, por tanimë mendoj që Meta është bërë promotor i mosseriozitetit të shtetit shqiptar e karshi të tjerëve.

Është e pafalshme në çdo rast, pavarësisht problemeve personale apo politike që kemi me njëri tjetri, kërkesave për të përfituar pak më shumë vota, por në marrëdhënie me zgjedhjet me politikën e SHBA askush në Shqipëri nuk i ka askujt borxh për këtë çështje” tha Majko.

Majko ka përligjur se presidenti ka shkelur kushtetutën, ka cënuar marrëdhëniet me SHBA dhe ka justifikuar arsyetimin se ky parlament me mandat të skaduar ka legjitimitet për të shkarkuar Metën.

Dy herë ish kryeministri i Shqipërisë dhe një nga nismëtarët e transformimit demokratik të PS-së, nuk ka parë asnjë shqetësim për mënyrën Blitz si u organizua ky proces, për faktin se shumica e komisionit hetimor ishte e përbërë nga deputetë të pavotuar në 25 prill, për argumentet qesharakë që u akuzua presidenti dhe që për këdo janë larg të qenit një shkelje e rëndë kushtetuese.

Por çudi është se pavarësisht nga këto, Pandeli Majko nxitoi të tregohet më servil i Ramës tani që ai e shndërroi në një pensionist pa mandat deputeti se herën e parë kur u ngrit komisioni i parë anti Meta dhe ai qe ende në politikën aktive.

Sot vota e Majkos u fut në radhë me ato të Selami Jeniçerit, Halit Valterit, Ylli Shehut e Nimet Musait.

Dhe kjo në fakt i jep të drejtë Ramës që, pasi e përdori e flaku ish shefin e tij të dikurshëm, si limon të shtrydhur. Shprehja“më bëj nënën të të thërras baba” i shkon gjithnjë e më shumë historisë të këtij çifti politikanësh. Sa më shumë Rama vazhdoi ta përdhunojë aq më tepër Majko vazhdoi t’i qëndrojë besnik.

Aq sa ta mbyllte një nga votimet e tij fundit në kuvend me një njollë turpi që më mirë ta kish shmangur duke vajtur sërish te dentisti. /Lapsi.al