Aktualitet

LSI publikon shkelje të reja: Ja sesi u mbushën kutitë në qarkun e Beratit, KAS po merr vendime të njëanshme politike në shërbim të ‘Rilindjes’

Published

on

Lëvizja Socialiste për Integrim ka publikuar shkelje të reja përsa i përket mbushjes së kutive të votimit në qarkun e Beratit.

Me anë të një konference për mediat, Endrit Braimllari, denoncoi mënyrën e përdorur për mbushjen e kutive të votimit. Sipas tij, KAS po merr vendime të njëanshme politike në favor të partisë në pushtet. Ai shtoi se rezultati i dalë nga kutitë e votimit nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve pasi janë vota të cilat janë shtuar nga “Rilindja”.

Deklarata e Plotë

Përshëndetje!

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve vijon të bëhet pjesë e masakrës elektorale të 25 prillit.

Vendimet e njëanshme, arbitrare dhe politike në shërbim të rilindjes u konfirmuan dhe sot në vendimmarrjen për qarkun e Vlorës. Duke i mohuar të drejtën e votës mijëra qytetarëve.

Ky vendim i KAS vjen pasi mbylli sytë në mënyrë të frikshme për shkeljet e rënda në qarkun e Beratit.

Sot, do t’ju paraqesim fakte zyrtare nga procesverbalet e qendrave të votimit sesi kutitë janë mbushur.

Qendra e votimit 34/56 rezulton se në dorëzim janë marrë 959 fletë votimi por në mbyllje të procesit nga i njëjti komision janë dorëzuar 1 mijë fletë votimi, pra 49 fletë votimi më shumë. Në këtë qendër votimi mungon dhe raporti i identifikimit elektronik të votuesve.

Këto shkelje tregojnë qartë, se kutitë në Qarkun e Beratit janë mbushur nga Rilindja dhe se rezultati i dalë nga to nuk pasqyron vullnetin e qytetarëve.

Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë të bëjë publike, fakte të tjera tronditëse sesi Rilindja deformoi vullnetin e qytetarëve në 25 prill.

Ne nuk do të ndalemi për të zbardhur të vërteten dhe për të çuar në vend vullnetin e qytetarëve.

Exit mobile version