Aktualitet

Lufta ndaj informalitetit, Tatimet do të kontrollojnë pasuritë e biznesit

Published

on

Lufta ndaj informalitetit gjatë vitit 2021 do të kalojë në një nivel tjetër dhe do të përqendrohet kryesisht në dy linja, sipas programit të fundit ekonomik të qeverisë.

E para, zbulimi i të ardhurave globale të padeklaruara nga taksapaguesit dhe individët, përmes shkëmbimit automatik të informacionit mbi llogaritë financiare në 2021 e në vazhdim, nën Standardin e Përbashkët të Raportimit në OECD.

E dyta synon ndërtimin e Regjistrit të Pasurive të Tatimpaguesve (materiale dhe financiare) me qëllim ngritjen e një sistemi për të verifikuar dhe për të gjurmuar të ardhurat e taksapaguesve dhe kontroll më i plotë i pagesave të bëra për taksat e pronës, njofton Ministria e Financave.

Sipas planit të financave, Regjistri i Pasurive do të krijojë të dhëna për pasuritë që bizneset kanë në zotërim. Duke parë regjistrin e pronave më pas do të verifikohet nëse këto i kanë paguar të gjitha taksat që lidhen me to. Taksat mbi pronën karakterizohen nga një evazion i lartë, teksa përpjekjet për kadastrën fiskale ende nuk janë finalizuar tërësisht.

Regjistri i Pasurive të Taksapaguesve do të kalojë nëpër 3 faza. E para synon krijimin e Regjistrit me pasuritë përkatëse. E dyta synon shkëmbimin e të dhënave në internet dhe e treta, analizimin e të dhënave me raportet dhe pasqyrat financiare të bizneseve.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve synon të luftojë evazionin duke verifikuar fshehjen e të ardhurave në llogaritë jashtë vendit nëpërmjet Shkëmbimit Automatik të Informacionit. Informacioni për t’u shkëmbyer përfshin balancat e llogarive financiare në fund të vitit që raportohet, fitimet kapitale (përfshirë interesat, dividendët, të drejtat dhe të ardhurat nga shitja e aseteve financiare), të raportuara te qeveritë nga institucionet financiare, duke mbuluar llogaritë e mbajtura nga individët dhe entitetet përfshirë trustet dhe fondacionet.

Sipas Ministrisë së Financave procesi i fiskalizimit do të jetë një hap tjetër për luftën kundër informalitetit. Fiskalizimi pritet të ndihmojë në trajtimin e evazionit fiskal, mashtrimit tatimor dhe informalitetit, duke përdorur monitorimin në kohë reale të transaksioneve financiare ndërmjet tatimpaguesit.

Shqipëria ende vuan nga një nivel i lartë i evazionit fiskal. Me gjitha masat e marra të ardhurat e grumbulluara në buxhet nuk kalojnë të 27% të PBB niveli më i ulët në Europë dhe Rajon. Evazioni është burimi kryesor për rritjen e të ardhurave, një objektiv që nuk po mund të realizohet nga qeveritë e vendit tonë./Monitor

Exit mobile version