Connect with us

Lajme

Mandija: Teknikët nuk dështua

Published

on

 

Zv.Kryeministrja Ledina Mandija nuk zgjodhi një gjuhë të ashpër për të replikuar me Kryeministrin, sipas të cilit raporti i ministrave teknikë për zgjedhjet ishte i njëanshëm, politik dhe joprofesional.

Ledina Mandija e përshkroi raportin si një pasqyrim të saktë të raportimeve dhe verifikimeve të kryera gjatë periudhës zgjedhore.

“Fakti që fakte, të dhëna apo raportimeve, apo zhvillime të ndryshme gjatë procesit elektoral mund të mos jenë të pëlqyeshme nga subjekte të ndryshme elektorale, kjo nuk e bën këtë raport të njëanshëm, apo edhe jo legjitim”, thotë ajo.

Zonja Mandija përmendi mungesën e kompetencës së Task Forcës për vendimarrje pas zgjedhjeve si argument kryesor përse nuk e diskutoi, apo miratoi materialin përmbledhës me raportet e ministrave teknikë në një mbledhje të posaçme, siç tërhoqi vëmendjen Kryeministri Rama.

“Vendimi i Këshillit të Ministrave ka përcaktuar që Task Forca ka rol koordinues dhe monitorues. Task Forca nuk kishte funksion dhe kompentencë për të vendosur në lidhje me pranimin, ose jo të raporteve të ministrave”, deklaroi zv.Kryeministrja.

Megjithëse u qëndroi gjetjeve se administrata në nivele drejtuese është e politizuar dhe pati rezistencë ndaj ministrave teknikë, Ledina Mandija, njësoj si Kryeministri, e vlerësoi përfshirjen në qeveri gjatë zgjedhjeve si një përvojë pozitive, që siç rekomandon në raport, duhet të përsëritet në zgjedhjet e ardhshme.

“Bashkëpunimi ka qenë efektiv, ka patur edhe një stopim, apo barriera të krijuara në mënyra artificiale nga persona të caktuar. Të orientuar, ose jo, kjo nuk është në dijeninë time, por gjithsesi kjo është një eksperiencë e parë që mendoj se në të ardhmen duhet të zhvillohet edhe më tej”, propozon ajo.

Në raport zv.Kryeministrja pohon se për shkak të pengesave dhe kohës së shkurtër, ministrat teknikë nuk e përmbushën misionin e tyre si garanci e zgjedhjeve të lira, por notën kaluese nuk ia mohon ekipit teknik në Qeverinë “Rama”.

“Misioni i ministrave nuk ishte komplet i dështuar. Ndoshta ishte i dështuar për të garantuar totalisht një proces të lirë zgjedhor, por mund të them që pati një ndalim të përfshirjes dhe intimidimit të administratës për të marrë pjesë në fushatë elektorale, siç ka ndodhur kohë më parë”, deklaroi ajo.

Zyrtarisht Ledina Mandija dhe ministrat teknikë kanë dhënë dorëheqjen nga kabineti “Rama”, por sipas Kushtetutës, ata do të qëndrojnë në detyrë derisa Parlamenti të miratojë dekretet e shkarkimit, praktikisht deri në krijimin e Qeverisë së re.

/ Top Channel