Connect with us

Aktualitet

Meta: Qeveria e Bashkia e Tiranës, proces shkatërrimi për pronat në “Kombinat”

Published

on

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me anë të një postimi në rrjetet sociale ka hedhur akuza ndaj Bashkisë së Tiranës dhe Qeverisë duke thënë se ata kanë nisur një proces shkatërrimi për pronat e qytetarëve në zonën e “Kombinatit” në Tiranë.

Postimi i Metës:

Në mënyrë antikushtetuese, të dhunshme dhe jo transparente, Qeveria ende në detyrë dhe Bashkia Tiranë kanë nisur një proces shkatërrimi për pronat e qytetarëve në zonën e “Kombinatit” në Tiranë.

Jam njohur me peticionin e dërguar nga një grup qytetarësh të kësaj zone dhe i kam kërkuar zyrtarisht, që prej muajit shkurt 2021, Qeverisë dhe Bashkisë Tiranë të vlerësojnë ankesat e parashtruara me objektivitet dhe paanshmëri.

Deri tani asnjë angazhim serioz prej tyre, që të reflektojë zgjidhjen e çështjeve të ngritura me të drejtë nga këta qytetarë.

Me pretekstin e rindërtimit të pronave të dëmtuara nga tërmeti dhe me alibinë e ndërtimit të një zone të re zhvillimi, Qeveria ende në detyrë dhe Bashkia Tiranë duket se me presion e dhunë po përfshijnë brenda planit për prishje edhe prona, që nuk janë prekur nga tërmeti, pa informuar pronarët se çfarë fati i pret pasuritë e tyre.

Në këtë mënyrë Qeveria ende në detyrë dhe Bashkia Tiranë po ndërhyjnë me forcë mbi jetën dhe të ardhmen e qindra familjeve, duke krijuar një situatë të pasigurt ligjore dhe duke nxitur një tension social të panevojshëm në këtë zonë.

I bëj thirrje Qeverisë ende në detyrë dhe Bashkisë Tiranë, të tërhiqen menjëherë nga çdo përpjekje e procedurë antikushtetuese, që synon zaptimin e pronave private të qytetarëve për ndërtimin e kullave shumëkatëshe edhe në këtë zonë të Tiranës, por të garantojnë një zgjidhje të drejtë e objektive siç Kushtetuta e parashikon.

Neni 41 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë garanton pronën private të çdo qytetari.

Ndaj nuk ka VKM apo Akt Normativ, që mund të cënojë këtë të drejtë të shenjtë apo më keq akoma, t’i largojë forcërisht qytetarët nga pronat e tyre, pa një proces të rregullt ligjor.

Duke i falënderuar qytetarët e “Kombinatit” për shqetësimin, që më kanë përcjellë, i garantoj se do t’i mbroj me të gjitha mjetet demokratike dhe ligjore të drejtat e tyre kushtetuese.