Connect with us

Sociale

Ministrja Kushi: Festa e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri me fëmijët jetimë të Elbasanit, traditë që vazhdon çdo vit

Published

on

“Pandemia nuk na lejon që të bëjmë festa të mëdha me shumë fëmijë, por unë nuk mund të rrija pa e vazhduar traditën disavjeçare të Festës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri për fëmijët jetimë të qytetit të Elbasanit, por kësaj here në grupe të vogla” – shprehet Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi në një publikim në rrjetin e saj social.

 

Ajo ka marrë pjesë në një prej aktiviteteve, për të cilin ajo thotë se e bën me shumë zemër se çdo gjë tjetër.

 

“Këta fëmijë duhet ta kuptojnë dhe duhet ta ndjejnë që nuk janë vetëm, e sidomos në vigjilje të festave ku ne të gjithë mblidhemi pranë vatrave familjare, pranë pemës së Vitit të Ri. Këta fëmijë nuk duhet të mbeten vetëm dhe nuk duhet t’i lëmë në harresë”- shprehet Kushi.

 

Sipas ministres Kushi, sensibilizimi i institucioneve shtetërore dhe i gjithë shoqërisë për më shumë vëmendje dhe përpjekje që këta fëmijë të rritën të shëndetshëm dhe të arsimohen siç duhet, është mjaft e rëndësishme.

 

Për fëmijët jetimë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka disa politika mbështetëse, duke filluar me tekstet falas deri në klasën e 12-të, transporti falas, ndërkohë që mbështetja vazhdon edhe në universitet ku tarifat janë zero dhe gjithashtu pajisen me bursë.

 

Ndër të tjera, Ministrja Kushi ka bërë thirrje që e gjithë shoqëria, si dhe të gjitha institucionet t’i mbështesin sa më shumë fëmijët jetimë.

 

“Një falënderim të veçantë për të rinjtë e Forumit Rinor Eurosocialist në Elbasan, që për disa vite rresht vijnë bashkë me mua në këtë festë për të përcjellë mesazhe solidariteti dhe vlerat më të mira sociale dhe qytetare”, – nënvizon gjithashtu Kushi.