Aktualitet

Mobilizohet Italia, 9 rajone në gatishmëri për rënien e raketës. Thirrje qytetarëve: Qëndroni në shtëpi!

Published

on

Autoritetet italiane janë vënë në lëvizje dhe janë mobilizuar për raketën kineze e cila ka dalë jashtë kontrollit dhe do të bjerë në tokë. Kjo raketë që po bie prej 3 ditësh nga hapësira, parashikohet që të prekë tokën të shtunën vonë ose në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Ndërkohë që hyri në atmosferën e planetit tonë ditën e sotme. Mediat italiane publikuan edhe pamjet e para të raketës italiane pas hyrjes në atmosferë, imazh që është kapur nga një teleskop në Itali.

Askush nuk e di vendndodhjen e saktë se ku do të bjerë kjo raketë. Por ekspertët besojnë se pjesa më e madhe e saj do të shpërbëhet në ajër. Ndërkohë që Mbrojtja Civile në Itali beson se pjesë apo mbetje të raketës hapësinore mund të bien në disa rajone të vendit.

Mediat italiane “Ansa” dhe “TgCom24” raportojnë se rajonet ku ka dyshime që pjesë të raketës mund të bien janë Umbria, Lazio, Abruzzo, Molise, Campania, Basilicata, Puglia, Kalabria, Sicilia dhe Sardenja. Ekspertët italianë kanë këshilluar qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi.

Autoritetet italiane po ndjekin në vijimësi se çfarë do të ndodhë me raketën, nëse do të shpërbëhet në atmosferë apo nëse do të ndryshojë trajektore. Ndërkohë, shumë institucione në Itali janë mobilizuar në këtë proces.

Këshilltari ushtarak i Kryeministrisë italiane, përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Mbrojtja Civile, forcat zjarrfikëse, Forcat Ajrore dhe institucione të tjera po qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm mes tyre për t’u përditësuar lidhur me zhvillimet më të fundit nga trajektorja e raketës hapësinore.

Ndërkohë, Mbrojtja Civile ka udhëzuar qytetarët që të mos dalin në rrugë gjatë kohës kur pritet edhe rënia e raketës në tokë.

“Qëndroni në shtëpi, larg dyerve dhe dritareve. Nuk ka gjasa që pjesët e mbetura të shkaktojnë shembje të ndërtesave, e që për këtë arsye konsiderohen më të sigurta se vendet e hapura”, ka njoftuar Mbrojtja Civile.

Megjithatë, nuk dihet nëse raketa kineze e dalë jashtë kontrollit do të bjerë në Itali. Në hartën e shteteve të publikuar sot nga BBC ku mendohet rënia e këtij objekti ishte edhe Shqipëria. Në orët në vijim pritet të ketë një konfirmim më të saktë për vendndodhjen se ku do të rrëzohet raketa.

Exit mobile version