Aktualitet

Në shtetin e Dajës, fitimi dhe gënjeshtra janë kthyer në kult.

Published

on

Sigurisht që nuk e kemi harruar atë ditë të bekuar kur Kryeministri ynë na u shfaq në ushtrimin e një tjetër dhuntie njerëzore, pas shumë të tjerash që i kishte lëvruar po me kaq nam e zulme. E si mund t’i fshehim në çetele të kujtesës Landin, djalin e brishtë, dhe Dajën e tij rrabanak e hijerëndë, që nuk i duronte brekët se i cimbisnin hallatet në filmin “I love Tropoja”?!

Vetë Edi Rama e luante rolin e Dajës që vrân e kthjellë. Pas gjashtë vitesh asokohe në pushtet, subkoshienca i tha të shfaqej si daja, xhaja, baba i shqiptarëve. E bukur mirë, njerëzit në fillim të paktë e më pas më të shumtë filluan ta thërrasin dajë Edi, “shteti i Dajës”, “qeveria e Dajës”, “ministrat e Dajës”, “koncesionet e Dajës”, “kanabisi i Dajës”, “akademikët e Dajës” apo “mjekësia e Dajës” e tani së fundmi “Tirja e Dajës” e shumë të tjera asociacione. Edhe ne, për sintoni me tabanin popullor, për shkurt në shtjellat e shkrimit po e thërrasim Daja.

Në shtetin e Dajës po ndodhin shumë gjëra që të lënë pa frymë e mend. Sa mbyll një skandal me dy qese vaksina, i hapet një tjetër. Të gjitha bashkë zhvillohen në subjektin e dramës së madhe të pandemisë, e cila shkon për hesap të vet nga i do qejfi. Së fundmi, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku disa persona vranë veten, doli një personazh unik që hapi derën e një galerie me të ngjashëm, Tirja, sanitarja horror.

Vetëm në Shqipëri, së paku në Europë, në kohën e Kovidit mbizotëron frika për të shkuar në spital si vend pa kthim. Do të ishte abuzim i pafalshëm nëse i barazojmë të gjithë mjekët e infermierët me Tiren dhe shoqet e saj me logjikë të ftohtë kriminale e pa pikën e mëshirës njerëzore.

Por hetimet e Prokurorisë, me sa kemi parë në media, na lënë të kuptojmë se aty ka një fenomen, për të cilin ka vite që dëgjojmë, po tani na vërtetohet me zë e figurë. Aty disa pacientë vranë veten dhe jo pak, aty nga hetimet mbi Tiren shohim se të sëmurët lihen pa ngrënë e pa shërbim dhe zhvaten familjarët. Shpresojmë shumë të mos jetë mbizotërues ky fakt, se i bie të jemi në një stad shtazor të shoqërisë sonë.

Mes Dajës, simbolit të të fortëve në film e aktualitet dhe Tires, “tezes” së veseve më të ulëta, nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë. Por, në filozofi po. Gënjeshtra është e para. Mjekësia falas, pat thënë Dajë Edi, e ajo nuk ndodhi kurrë dhe Tirja nuk bën asgjë falas, madje nuk gënjen falas. Profesionistët dhe jo militantët na pat thënë në 2013 e 2017 dhe sot shëndeti publik kudo administrohet me militantë, madje edhe familjarisht burrë e grua, njëra politikat, tjetri administrimi.

Daja i mbledh shpesh mjekët në këto kohë pandemie dhe u mban fjalime në oborre, pas tij ia kthen ministresha Manastirliu një altoparlant perfekt propagande, e të dy bashkë u rrasin te këmbët një tas me lule, ndërsa koncesionet oligarkëve. Si është rekrutuar Tirja Tireshat dhe Tirushët e tjerë, është një histori tjetër, që meriton më vëmendje. Tirja sheh, lexon, dëgjon sesi administrohet paraja publike në shtetin e Dajës, si derri dhe dosa fshijnë lëmin, si njeriu pa virtyte dhunon ato të të tjerëve, si jepen tenderët dhe koncesionet, sa paguhet një km rrugë, si pasurohen pushtetarët me shtëpi, vila, dyqane, llogari bankare dhe ndihet e fyer, si qytetari në punë të vet nuk vlen asgjë.

Ajo mendon që nga formimi dhe karakteri deputetët dhe ministrat s’kanë asnjë epërsi as intelektuale e as etike dhe vendos të zërë kohen e humbur e të mos bjerë në depresion!! U mat kokën me pe pacientëve të sëmurë, ushtron atë “pushtet” që ka në mënyrën më çnjerëzore duke i poshtëruar e lënë pa bukë e nuk është vetëm.

Ajo njeh vetëm kulturën e fitimit dhe gënjeshtrës. Këto janë dy koncepte, që në shtetin e Dajës janë shndërruar në kult si kurrë më parë, se prezente kanë qenë gjithmonë. Dajë Edi dhe teze Tirja janë dy skajet e pushtetit sipas mundësisë dhe sferës. “Teze” Alldervishi dhe Dajë allishverishi kanë futur në mes dhe shtypin mjekët e sanitarët dinjitozë, e para me turp, i dyti me përdorim politik.

Ata duhet të na e tregojnë rrugën e lirisë së tyre, liri pa të cilën s’ka jetë cilësore në këtë vend. “Dajë” Edi dhe “teze” Tirja nuk bashkohem në formë, por në mendësi tpz.al

Exit mobile version