Bota

Njeriu që bashkoi dy Gjermanitë, Mihael Gorbaçov mbush 90 vjeç

Published

on

Mihael Gorbaçovin e vlerësojnë dhe nderojnë ma pamasë në Gjermani për meritat që ai ka dhe rolin që ka luajtur në ribashkimin e Gjermanisë.

Madje atij i është ngritur edhe një monument në Desau, në landin Saksoni-Anhalt, që u përurua më 3 tetor 2020 me rastin e 30 vjetorit të ribashkimit.

Mihael Gorbaçov ishte i pari kryetar shteti që vizitoi Gjermaninë pas ribashkimit. Në nëntor 1990 në Bom u nënshkrua marrëveshja për fqinjësinë e mirë, partneritetin dhe bashkëpunimin, kjo ishte e para marrëveshje ndërkombëtare në Gjermaninë e ribashkuar.

I vlerësuar në Perëndim, jopopullor në atdhe: trashëgimia politike e kreut të fundit të shtetit sovjetik, Mihail Gorbaçov, është kritikuar vazhdimisht në Rusi.

Bashkimi i Gjermanisë i fiksuar në 12 shtator 1990 në të ashtuquajturin marrëveshje dy-plus-katër, luan një rol qendror për këtë.

Marrëveshja Dy-plus-Katër u nënshkrua në Moskë nga ministrat e jashtëm të RFGJ dhe RDGJ si dhe të katër fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore – BRSS, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca.

Dokumenti me shtatë faqe “mbi rregulloren përfundimtare në lidhje me Gjermaninë” i dha fund ndarjes së Gjermanisë pas më shumë se 40 vjetësh.

Michail Sergejeviç Gorbaçov lindi më 2 mars 1931 në rajonin e Kaukazit Verior, sot Stavropol si biri i një rusi dhe një ukrainasje (Sergei Andrejeviç Gorbaçov dhe Marija Pantelejevna Gopkalo).

Prindërit e tij ishin bujq në një kolkoz në Privolnoje. Në moshën 21 vjeçare më 1954 Gorbaçovi hyri në partinë komuniste të BRSS duke vepruar për 22 vjet në rajonin e tij Stavropol.

Në moshën 35 vjeçare ai mbaroi studimet në fushën e ekonomisë agrare në Institutin Bujqësor. Ai bëri karrierë në radhët e partisë duke u ngjitur deri në Byronë Politike, ku në vitin 1980 u bë anëtar me të drejta të plota i saj.

Gjatë veprimtarisë së tij në byronë politike Gorbaçovi u njoh me shefin e KGB-së Juri Andropov, i cili vinte gjithashtu nga Stavropoli dhe në vitet pasuese e mbështeti atë në karrierën e tij në aparatin partiak.

Më 11 mars 1985, ditën pas vdekjes së ish-sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Konstantin Çernienko, në moshën 54 vjeçare Gorbaçovi u zgjodh sekretar i përgjithshëm i partisë komuniste. Ai nisi shumë shpejt kursin e reformave dhe u distancua prej gabimeve të partisë që nga koha e Stalinit dhe krimet gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Me ngjitjen e tij në krye të Sovjetit Suprem më 1988 u distancua qartazi edhe nga doktrina e Brezhnjevit.

Me zgjedhjen president i BRSS më 14 mars 1990 Gorbaçovi iu përmbajt kursit të reformave për liberalizim duke i hapur kështu rrugën ndryshimeve në BSSR e gjithashtu edhe ndryshimeve në të gjithë bllokun lindor.

Ai u tërhoq nga posti i presidentit të Bashkimit Sovjetik më 1991. Pas kthesës në vitin 1992 ai themeloi fondacionin e tij Gorbaçov./Deutsche Welle

Exit mobile version