Connect with us

Aktualitet

Operacioni antidrogë në zonat e Pukës dhe Mirditës, SPAK jep detaje si vepronte grupi kriminal me mbështetjen edhe të policisë

Published

on

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka publikuar detajet e operacionit antidrogë në zonat e Pukës dhe të Mirditës, ku në veprimtarin kriminale ishin të përfshirë edhe punonjës policie.

Në total gjatë këtij operacioni janë lëshuar 20 masa sigurie, 13 arrest me burg, 3 arrest shtëpie dhe 4 detyrim paraqitje.

Njoftimi i policisë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr. 251, të vitit 2020, për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike” kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerje e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 284 e 28/4, 333a dhe 334/1 të Kodit Penal, si dhe për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në kuadër të këtyre hetimeve njëvjeçare është arritur të dokumentohet veprimtaria e disa grupeve kriminale të përfshira në kultivimin e bimëve narkotike në zonat malore ndërmjet territorit të bashkive Pukë dhe Mirditë, të cilët kanë bashkëvepruar me njëri-tjetrin për të siguruar shitjen e lëndëve narkotike, si dhe kanë siguruar mbështetje për të vazhduar këtë veprimtari nga strukturat e policisë, të cilët i informonin për kontrollet që do ushtroheshin në zonë. Gjatë ndjekjes së këtij procedimi penal është arritur të evidentohen disa raste të aktivitetit kriminal dhe janë sekuestruar ndër të tjera provat materiale:

• Në datë 02.12.2020 është sekuestruar sasia prej 37 kg e 450 gr lëndë narkotike “Cannabis sativa”.

• Në datë 04.08.2021 në vendin e quajtur Qafa e Helmit mbi fshatin Shkozë, Pukë janë asgjësuar afro 4000 bimë narkotike të dyshuara ”Cannabis sativa”, të kultivuara në tre parcela dhe janë evidentuar tre ambiente të përshtatura për të qëndruar personat që kanë kultivuar bimët e dyshuara narkotike.

• Në datën 01.10.2021 është sekuestruar sasia prej 12 kg lëndë narkotike ”Cannabis sativa” në zonën e fshatit Pletë, Pukë.

• Në datën 01.10.2021 është gjetur vendi ku kryhej përpunimi i bimës narkotike dhe është sekuestruar ndër të tjera sasia e gatshme e lëndës narkotike “Cannabis sativa” me peshë 28 kg e 73 gr dhe një sasi tjetër e papërpunuar.

Mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 82 akti, datë 17.10.2021 ka vendosur caktimi i masave të sigurimit personal si më poshtë:

• Për 13 (trembëdhjetë) shtetas, njëri prej të cilëve me detyrë oficer i policisë gjyqësore (si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal), masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale;

• Për 3 (tre) shtetas, masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale.

• Për 4 (katër) shtetas, punonjës të policisë gjyqësore, masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.

Nga ana e policisë gjyqësore janë ekzekutuar masat e sigurimit “arrest në burg”, për personat nën hetim L.N; Gj. K.; M.RR.; Z.L.; I.P.; L.K.; T.L.; A.K. dhe Y.V.; Ndërkohë që janë shpallur në kërkim personat nën hetim T.SH.; G.M.; G.T., si dhe K.B., ky i fundit me detyrë oficer i policisë gjyqësore. Janë ekzekutuar gjithashtu masat e sigurimit personal “arrest në shtëpi”, për shtetasit S.L. dhe E.L.

Të gjithë shtetasit e mësipërm janë me cilësinë persona nën hetim për kryerjen e veprave penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 284 e 28/4, 333a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Ndërkohë janë ekzekutuar dhe masat e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale për personat nën hetim Z.M.; A.N.; P.F.; dhe F.A., me detyrë punonjës të policisë gjyqësore, si persona nën hetim për kryerjen e veprës penale “shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Ndërkohë që hetimet po vazhdojnë në kuadër të dokumentimit të veprimeve të disa punonjësve të policisë gjyqësore, pasi dyshohet për përfshirje të tyre në këtë veprimtari kriminale.