Aktualitet

Operacioni në Durrës, Çuçi: Për katër muaj kapëm një ton kokainë në port, flasin faktet

Published

on

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi pas operacionit të sotëm në Durrës ku u kap një sasi kokaine ka bërë një bilanc të punës së policisë në 4 muajt e fundit. Ministri thotë se asgjë nuk është rastësi dhe se faktet flasin vetë.

“Faktet flasin vetë. Pas operacionit të sotëm shkon në rreth 1 ton sasia e lëndës narkotike e llojit kokainë e kapur në Portin e Durrësit gjatë katër muajve të fundit. Asgjë nuk është e rastësishme, por dëshmi e luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe e aftësisë zbuluese e goditëse të Policisë së Shtetit.

Këto operacione dëshmojnë gjithashtu besimin e lartë të partnerëve tanë ndërkombëtarë në hetimet e përbashkëta, intensive dhe profesionale, në goditjen e rrjeteve të trafikut të drogës.

Kjo është një luftë e vazhdueshme, që nuk nis e as përfundon me një operacion. Ne do të vijojmë punën me Policinë e Shtetit dhe të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese, brenda e jashtë vendit, për ta bërë Shqipërinë një vend më të sigurt” shkruan ai.

Sot në portin e Durrësit në një kontejner me banane të ardhur nga Ekuadori u gjetën dhe sekuestruan 11.6 kg kokainë në 14 pako. Dy janë personat e arrestuar deri tani Barjon Gumeni, administrator i firmës, që rezulton se është vëllai i pronarit të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, Eduart Dauti dhe një punonjës tjetër me emrin Jurgen Osmani.

Exit mobile version