Opinion

Orët fatale të jetës së heroit në magazinën e vdekjes!

Published

on

Nga Nikoleta Kovaçi

“Ma jep mua k`të bombolën! Dilni që këtu se osht rrezik”! Këto janë dy fjalitë e fundit që Arjani tha teksa hodhi cigaren e fundit të jetës së vet, ashtu siç flaku edhe gjithë ekzistencën e tij në emër të hyjnores: Shpëtimit të jetës së tjetrit!

Me atë bombol të rrëmbyer nga duart e një punonjësi i është drejtuar mesit të magazinës, ndërsa me ulërima ka sinjalizuar të dalin të tjerët dhe të mos i afrohet kush! Momentin që ka shquar vendin ku gjendej vatra e zjarrit, duke besuar se bombola do ia mundësonte betejën e parë me flakët, ai ka tentuar ta shuajë. Në atë moment mendohet që iu ka mbyllur dalja dhe ka tentuar një palë shkallë sigurie për të dalë mbi nëntokë. Duke qenë djalë me përgatitje fizike të mirë ka synuar skutën e betontë me qëllimin se dikush do t`i shkonte në ndihmë, dikush do t`i gjendej pranë në atë betejë që ia kishte zënë të gjitha pritat; aty, i kruspullosur, përmbys, me shumë sende të hedhura sipër vetes për t`u shpëtuar flakëve u gjet pak pas mesnate i pajetë!

Zjarrfikësit, ushtria, kolegët, shteti, shoqëria shqiptare kushdo që mbeti me zemër në dorë për tri netë e dy ditë e humbi davanë me atë masë të betontë që mbajti brenda vetes jetën e një djali-punonjës sigurie, të babait të një fëmije rreth 2 vjeç, të një biri, që la nën kujë të përjetshme prindërit dhe familjen e tij, të një ‘shefi’ që nuk lejoi askënd t`i shkonte pas por luftoi i vetëm për të shpëtuar këdo dhe gjithçka! Por fatkeqësisht ai e humbi betejën, e humbi jetën, por fitoi përjetësinë!

***

Personat e fundit që kanë patur kontakt me të kanë qenë dy punonjës të ndërtesës së ‘Casa Italia-s’! Në bazë të rrëfimit të tyre të shkurtër, të atij momenti fatal, është formësuar edhe një farë skene ngjarjeje i gjithë asaj batërdie që mbajti ngërthyer për orë me radhë të gjithë njerëzit e thjeshtë të këtij vendi. Dy personat e fundit që kanë qenë me Arjanin mësohet se nuk janë asnjëri punonjës të sigurisë. Ata kanë qenë tek porta e jashtme duke pirë cigare bashkë me Arjanin në momentin kur në radio është njoftuar për zjarrin. Në hollin e jashtëm ka qenë një tjetër punonjës me një bombol në dorë! Sipas të dhënave Arjani ia merr nga dora dhe niset me vrap për në magazinë. Pas tij nisen edhe dy punonjësit e tjerë por Arjani i ka refuzuar duke iu thënë që të ktheheshin mbrapsht. Më pas ka kërkuar punonjësit nëpër magazinë duke iu kërkuar të dilnin jashtë. Të gjithë iu kanë bindur frikës dhe zërit të tij duke e lënë të vetëm në brendësi të magazinës së mbushur me shumëllojshmëri mallrash. Shpërthimi i zjarrit ka qenë i menjëhershëm.

Askush nga grupet e verifikimit nuk ka mundur dot të shquajë se çfarë materiali ka qenë brenda që ka mundur të shkaktojë një shpërthim të tillë. Ndonëse askush nuk flet në lidhje me këtë fakt, kanë qenë punonjësit e dyqaneve të kateve të sipërme që kanë dëgjuar shpërthimin e fuqishëm prej të cilit nga pjesa e pasme e ndërtesës kanë dalë flakët e para. Ata janë larguar me vrap duke lënë të paprekur asgjë nëpër dyqanet e tyre, largim që shquhet lehtësisht edhe sot. Po ashtu askush nuk di të thotë se përse nuk kanë punuar hidrantët e ndërtesës në momentin që është tentuar të ndërhyhet nga ana e kolegëve të djalit që kishte mbetur brenda magazinave. Janë me dhjetëra pyetje që ngrihen në lidhje me mosfunksionimeve e mekanizmave bazë të një ndërtese me magazina nëntokë që nuk kanë asnjë lloj daljeje tjetër përveç një pale shkallësh dhe një hyrjeje kryesore.

***

Ekspertët ende nuk kanë folur, prokuroria ende nuk ka nisur hetimet, të zotët e mallit që gjendej në atë magazinë pretendojnë që nuk patur lëndë që realizojnë shpërthime, ndërsa i zoti i magazinës vijon të flasë publikisht për një ndërtesë me të gjithë parametrat e sigurisë. Po ashtu edhe shërbimi zjarrfikës ka dalë përgjatë ditës së djeshme dhe sotme duke përgënjeshtruar të gjitha pretendimet e familjarëve dhe të atyre pak mediave që ngritën zërin kundër pajisjeve dhe aftësive të tyre për të bërë të mundur ndërhyrjen në atë makth që mbante brenda vetes jetën e një djali 31 vjeç. Shteti me të gjithë mekanizmat e tij heshti dhe reagoi vetëm sot kur iu desh tu tregonte shqiptarëve se do t`i jepnin titull dhe medalje! Po ashtu edhe të zotët e punës së Arjanit nuk reaguan deri paraditen e sotme me pretendimin se nuk donin ta besonin se Arjani nuk jetonte.

Për më shumë se 24 orë në atë betejë mes tmerrit të flakëve, tymit dhe vdekjes familjarët e Arjanit qëndruan të vetëm duke pritur se mos dikush nga dikasteret përgjegjëse do tu vinin në ndihmë; në fakt në detyrën e tyre, në atë detyrë që mbërtheu përjetë djalin e shoqërisë së sigurisë “Breçani”! Përveç djemve të lagjes së re që është ndërtuar në anë të Laprakës, në të djathtë të rrugës së Durrësit që të çon për te “Kthesa e Kamzës”, vend në të cilin banon edhe familja Sala, askush nuk iu erdhi në ndihmë forcave zjarrfikëse që u rropatën më kot deri mëngjesin e sotëm. Pavarësisht të dhënave të shumta kontradiktore që dolën përgjatë orëve të betejës me atë zjarr të frikshëm që mbërtheu ndërtesën e “Casa Italia-s”, diçka është e sigurt: Shërbimi zjarrfikës ka ndërhyrë me vonesë dhe pa mjetet e duhura! Nga bisedat që kanë patur njerëzit e Arjanit, natën e ngjarjes, është pranuar se efektivët nuk i kishin mundësitë të hynin brenda magazinës, hyrje që më pas u vështirësua për shkak se temperatura brenda ambientit të izoluar ishte mjaft e lartë! Po ashtu përgjatë gjithë ditës së nesërme familjarët kërkuan të hapeshin muret anësore magazinës me qëllimin që të krijoheshin tunelet e mjaftueshme për të ndërhyrë nga jashtë, akt të cilin për orë me radhë, sipas të dhënave, e ka penguar i zoti i magazinës.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tri ditë nga kjo ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë, askush nuk ka marrë përgjegjësi, askush nuk është vënë nën hetim dhe ende nuk dihet nëse përgjegjësit kanë marrë mësim! Përpos jetës së humbur të Arjanit dhe heroit të patëmetë për të cilin kishim nevojë si shoqëri në këtë kohë të turbullt fushate dhe makthesh gjithfarësh, duket se asgjë tjetër nuk do të ndodhi pas ngjarjes që na nxori zbuluar në fuqinë e mekanizmave të shtetit për të izoluar qoftë edhe një zjarr që erdhi nga një shkëndi elektrike…!

Exit mobile version