Connect with us

Aktualitet

OSBE/ODIHR nxjerr përfundimet për zgjedhjet e 25 prillit: Vazhdoi problemi i shitblerjes së votave

Published

on

OSBE/ODIHR ka publikuar së fundmi përfundimet për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.

Nga raporti i publikuar theksohet se zgjedhjet në vendin tonë kanë shkuar përgjithësisht në rregull, por megjithatë përmendet problem i vazhdueshëm i shitblerjes së votave.

“Praktikat gjerësisht të përhapura të shitblerjes së votave vazhduan të përbënin problem. Rrjedhja e të dhënave personale sensitive, duke përfshirë edhe preferencat politike të zgjedhësve përbën shqetësim serioz dhe i bën zgjedhësit vulnerabël.” theksohet mes të tjerash në raport.

Pjesë nga gjetjet e OSBE/ ODIHR:

Në zgjedhjet e 25 prillit, zgjedhësit patën mundësi të zgjidhnin mes kandidatëve, të cilët mundën të
bënin fushatë në mënyrë të lirë dhe në kushtet e një kuadri ligjor që respekton liritë themelore.

Pas një marrëveshjeje të re që i dha fund një ngërçi politik, aktorët kryesorë patën besim të mjaftueshëm për të marrë pjesë në zgjedhje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), tashmë i reformuar, iu përkushtua mbikëqyrjes së procesit zgjedhor në mënyrë të organizuar dhe transparente, pavarësisht detyrimeve të reja të konsiderueshme, duke përfshirë edhe zbatimin e teknologjive të reja.

Partia qeverisëse mori avantazhe të konsiderueshme nga të qenit në pushtet, duke përfshirë përmes kontrollit të administratës lokale dhe nga shpërdorimi i burimeve të administratës publike.

Kjo u amplifikua përmes mbulimit pozitiv të institucioneve shtetërore në media. Pretendimet për shitblerje votash qenë të vazhdueshme gjatë fushatës dhe nisi një numër i madh hetimesh. Në numrin e kufizuar të qendrave të votimit dhe të vendeve të numërimit që u vëzhguan, procesi qe kryesisht transparent dhe i qetë.

Zgjedhjet parlamentare u mbajtën pas një marrëveshjeje të re politike të arritur në qershor të vitit 2020, e cila u pasua nga reforma zgjedhore. Këto zgjedhje u zhvilluan në kuadrin e bisedimeve në proces e sipër për aderimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Kushtetuta garanton liri themelore dhe pavarësisht disa paqartësive dhe mungesës së konsistencës,
Kodi Zgjedhor shërben si një bazë e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike.

Megjithëse ndryshimet e korrikut të vitit 2020 në Kodin Zgjedhor bazoheshin në një konsensus të gjerë politik dhe vinin pas një procesi gjithëpërfshirës konsultimi, ndryshimet e mëtejshme kushtetuese dhe zgjedhore të tetorit 2020 nuk u paraprinë nga konsultimet e duhura me aktorët. Edhe pse një sërë rekomandimesh të ODIHR-it dhe të Këshillit të Evropës u adresuan gjatë reformës zgjedhore, disa rekomandime mbeten ende të paadresuara.

Të 140 anëtarët e parlamentit zgjidhen për një mandat katër-vjeçar përmes një sistemi rajonal proporcional të modifikuar së fundmi, ku zgjedhësit kanë mundësi të votojnë në mënyrë preferencialepër kandidatë të caktuar në 1 nga 12 zonat zgjedhore përmes listave shumë-emërore. Ky sistem lejon edhe kandidimin e kandidatëve të pavarur.

Numri i mandateve që i caktohet secilës zonë në përgjithësi garantoi barazinë e votës. Parlamenti i ri mblidhet jo më herët se shtatori i vitit 2021.

Zgjedhjet parlamentare u organizuan përgjithësisht mirë nga administrata zgjedhore. Komisioni i
sapoformuar Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u përball me detyrime të reja të zgjeruara pas ndryshimeve
të fundit ligjore. Pavarësisht vonesave, duke përfshirë vonesat në miratimin e rregulloreve kyçe dhe në fillimin e fushatës për edukimin e zgjedhësve, si dhe në trajnimin e stafit të qendrave të votimit, KQZ-ja arriti t’i përmbushë si duhet pjesën më të madhe të detyrimeve të saj.

Ajo operoi me transparence dhe mbajti seanca të hapura për publikun, të transmetuara në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të hapura për pjesëmarrjen e aktorëve. Administrimi zgjedhor në të gjitha nivelet gëzoi përgjithësisht besimin e aktorëve.

Lëvizja drejt futjes së votimit elektronik ishte pjesë e marrëveshjes politike dhe e reformës zgjedhore
të vitit 2020.

Në përputhje me praktikat e mira zgjedhore, KQZ-ja pilotoi teknologji të reja votimi dhe
numërimi në 32 qendra votimi në Tiranë nga 5,199 qendra votimi në të gjithë vendin.