Aktualitet
“Papritmas gjithçka të bie mbi kokë”, Covid-19 transformoi sistemin e mirëqenies sociale
Published
4 years agoon
By
a.aCilat ndryshime do të zgjasin? Pandemia mund të shënojë një kapitull të ri në sistemet e mbrojtjes sociale
“Papritmas gjithçka të bie mbi kokë”, thotë Will, një 30-vjeçar nga Londra. Ai punonte në marketingun e arteve që kur u diplomua në universitet.
Pandemia përmbysi gjithçka. Rezervat e parave u zhdukën. Shpëtimi erdhi në formën e ndihmave të papunësisë nga qeveria britanike, pa të cilat ai do të ishte i papunë dhe i varfër. Përvoja e ka nxitur që të mbështesë sistemin e mirëqenies sociale – dhe madje edhe skemat më të mëdha, siç janë të ardhurat themelore universale (UBI).
Krizat, si luftërat ose kolapsi ekonomik, zbulojnë pikat e forta dhe të dobëta të shoqërive dhe ndryshojnë të menduarit mbi mënyrën se si ato mund dhe duhet të organizohen. Pandemia ka nxitur rivlerësimin e kontratës sociale, veçanërisht mbi mënyrën se si duhet të ndahet rreziku midis individëve, punëdhënësve dhe shtetit.
Paketat e stimujve fiskalë për Covid-19 kanë bërë që ndërhyrjet e krizës financiare globale të duken si minimale. Zgjerimi i shtetit të mirëqenies ka qenë më i madhi në historinë moderne. Ndihmat për qytetarët nga qeveritë, në vend të bankave, mund të shënojnë një kapitull të ri në historinë e tij.
Në themel, shteti i mirëqenies sociale mundëson një formë të sigurimeve shoqërore dhe zbutje të varfërisë.
Në vitin 1990, Gosta Esping-Andersen, një shkencëtar politik, identifikoi tre modele: i orientuar drejt tregut në vendet anglofone, ku shteti luan një rol “dytësor”; i orientuar drejt familjes në Europën Kontinentale, ku shteti dhe punëdhënësit luajnë një rol mbështetës; dhe i orientuar drejt shtetit në vendet skandinave, me mbrojtje dhe shërbime universale.
Bilanci midis shtetit, tregut dhe familjes, zhvendoset gjatë jetës së njerëzve, por shumica marrin afërsisht aq sa ofrojnë (çdo vit 36% e britanikëve marrin më shumë sesa paguajnë në taksa, por gjatë gjithë jetës, këtë e bëjnë vetëm 7%).
Kur Covid-19 goditi botën dhe ekonomitë u bllokuan, industri të tëra u përballën me rrënim. Që nga fillimi i pandemisë, vendet kanë ofruar mbi 13.8 trilionë dollarë (13.5% të PBB-së globale) në fondet totale të emergjencës, më shumë se katër herë më tepër se mbështetja e dhënë gjatë krizës financiare.
Vendet e pasura kanë marrë përsipër pothuajse të gjitha shpenzimet (shih hartën). Vetëm në vitin 1945, ndërsa Europa po rindërtohej pas Luftës së Dytë Botërore, borxhi i qeverisë si pjesë e PBB-së ishte po kaq i lartë. Ekonomitë në zhvillim nuk kanë marrë kurrë kaq shumë hua.
Forma e shtetit të mirëqenies ka ndryshuar gjithashtu. Parimet e vendosura si testimi i mjeteve (mirëqenia vetëm për më të varfrit), sigurimet shoqërore (vetëm për ata që paguajnë) dhe kushtëzimi (vetëm për ata që bëjnë diçka) u hodhën tutje. Qeveritë ofruan çeqe të gatshme për gjithçka, nga garancitë e punës deri tek ushqimi. Disa thjesht dërguan para në dorë.
Teksa pandemia zbutet dhe rimëkëmbja ekonomike rinis, sa do të zgjasë ky zgjerim? Ndryshimi i rrezikut në vitin 2020 erdhi pas dekadash, gjatë të cilave rreziqe si jetesa më e gjatë se sa pritej, ose zëvendësimi nga një algoritëm ose punëtor i huaj, kaluan gradualisht si barrë nga qeveritë dhe punëdhënësit mbi individët. Dhe ashtu si një përmbytje rrit kërkesën për sigurimin nga përmbytja, me miliona njerëz të varur nga shteti, për herë të parë po kërkojnë rrjeta më të forta sigurie.
Covid-19 tregoi se shteti i mirëqenies sociale kishte nevojë për modernizim. Ai ka lindur në një rend tjetër shoqëror dhe për t’u mbrojtur nga rreziqe të ndryshme. Pakënaqësia po rritej përpara pandemisë: në vitin 2019, më pak se një në pesë persona në 26 vende, ranë dakord që “sistemi” po funksiononte për ta dhe gjysma tha se po dështonte, sipas Barometrit të Besimit Edelman.
Fakti që qeverive u është dashur t’i përgjigjen kaq agresivisht Covid-19, tregon se përgjegjësia për disa rreziqe qëndronte në vendin e gabuar. Në një libër të ri në lidhje me kontratën sociale, Minouche Shafik, kreu i London School of Economics (LSE), parashikon se “Trazirat politike të cilat po i vëzhgojmë në shumë vende janë vetëm një fillim i asaj që na pret nëse nuk rimendojmë mbi atë çfarë i detyrohemi njëri-tjetrit”.
Sigurimi shoqëror amerikan lindi nga Depresioni i Madh. Programet e sigurimeve shoqërore u shfaqën në Europë në fund të shekullit XX. Por ishte Lufta e Dytë Botërore që çoi në lindjen e shtetit modern europian të mirëqenies sociale, me përfitime universale për t’u mbrojtur nga varfëria dhe për të siguruar kujdes shëndetësor dhe arsim.
Para luftës, mirëqenia ishte kuptuar kryesisht si lehtësim i varfërisë përmes rishpërndarjes. Por bombat goditën të pasurit dhe të varfrit njëkohësisht, dhe Europa pati një dëshirë të re për diçka ndryshe, dhe më të madhe: lehtësim shoku për të gjithë përmes sigurimeve. Nicholas Barr i LSE e përshkruan këtë si pjesë të objektivit të “bankës së kursimeve”: ideja se edhe nëse varfëria çrrënjoset, njerëzit ende kanë nevojë për mbrojtje ndaj goditjeve dhe periudhave të varësisë gjatë jetës së tyre.
Zgjerimi i pasluftës përfundoi me stanjacionin dhe inflacionin e viteve 1970. Një version i ri i shtetit të mirëqenies u përqendrua në hyrjen e njerëzve në punë. Përfitimet u bënë më të pakta dhe më thumbuese për të dekurajuar përtacinë dhe varësinë. Nxitjet e punës u rritën. Marrësit e mirëqenies u stigmatizuan si “mashtrues” dhe universalizmi i la vendin testimit të mjeteve dhe kushteve.
Amerika zëvendësoi shumë përfitime për të papunët me kreditë e taksave për të varfrit që punojnë. Britania i riemërtoi përfitimet e papunësisë si “Shtesa për Punëkërkuesit”. Tregu i punës u bë më fleksibël për të joshur punëdhënësit për të punësuar. Me punësimin e plotë, më pak njerëz do të kishin nevojë për përfitime, ose të paktën kështu mendohej.
Shumica e vendeve e përdorën këtë fazë të dytë, e cila filloi në vitet 1980, për të zvogëluar ndërhyrjen e shtetit dhe për të zhvendosur rrezikun përsëri tek individët. Sindikatat u dobësuan dhe mbrojtja e punësimit u shkurtua edhe më tej.
Në sektorin privat, sigurimi i pensioneve me përfitime të përcaktuara u zëvendësua nga pasiguria e kontributeve të përcaktuara. Midis viteve 2004 dhe 2018, pjesa e të ardhurave reale e zëvendësuar me një pension tipik të detyrueshëm për një punonjës të sektorit privat, ra mesatarisht me 11% në vendet e pasura. Stoku i strehimit social si pjesë e banesave totale u zvogëlua, kontrollet e qirasë u shkurtuan dhe kostot e strehimit u rritën.
Mos u mendoni dy herë
Por diskutimet për vetëmjaftueshmërinë përfunduan kur goditi Covid-19. Qeveritë nxituan për të mundësuar paratë dhe pyetjet i lanë për më vonë. Rezultati ishte një rritje e madhe në numrin e përfituesve socialë.
Nga janari, Organizata Ndërkombëtare e Punës numëroi mbi 1,600 politika të mbrojtjes sociale të nisura që nga shkurti 2020. Mbështetja arriti numra rekord. Në disa vende të pasura, rreth 60% e atyre që morën ndihmë gjatë pandemisë, përfshirë skemat e ndërmarrjeve, nuk kishin marrë kurrë pagesa të mirëqenies sociale më parë, sipas BCG, një firmë këshillimore.
FMN vlerëson se deri në janar, ekonomitë e pasura kishin rritur shpenzimet totale direkte me pothuajse 13% të PBB-së, rreth gjysma e tyre për mbështetjen e punëtorëve dhe familjeve. Vendet që zakonisht shpenzojnë shumë për mbrojtjen sociale, shpenzuan relativisht më pak për financimin e emergjencave (shih grafikun). Mbështetja për punësimin, të tilla si subvencionet e pagave ose skemat shtesë, ishte më e popullarizuara në Europë (përfshirë Britaninë). Në OECD, një klub i vendeve kryesisht të pasura, mbi një në pesë punonjësve u është shpëtuar puna nga programe të tilla.
Qeveritë kanë shpenzuar pothuajse të njëjtën shumë në mbështetjen e familjeve nëpërmjet përfitimeve të papunësisë, përfitimeve të fëmijëve dhe transferimeve të parave. Në Amerikë, e cila ka favorizuar shpenzime mbi subvencionet e pagave, rritja javore prej $ 600 e sigurimit të papunësisë, nënkuptonte se dy të tretat e përfituesve fitonin më shumë në muajt e parë të pandemisë, sesa kur ishin duke punuar.
Kërkesat arritën majat: gati 33 milionë kërkesa u bënë në javën e tretë të qershorit, krahasuar me 2 milionë në javën e fundit të shkurtit, pak para goditjes së pandemisë, dhe 12 milionë në javën e pikut të krizës financiare.
Në Britani, qeveria rriti kredinë universale, programin kryesor të mirëqenies para pandemisë, me 1000 £ (1,290 dollarë) në vit. Rreth 6 milionë njerëz e kërkuan atë në janar, krahasuar me 2.6 milionë shkurtin e kaluar. Britania, si të tjerët, hoqi disa nga kushtet e lidhura me përfitime të tilla dhe zgjeroi përshtatshmërinë.
Shumë gjithashtu shpërndanë para. Administrata e Donald Trump dërgoi çeqe prej $ 1,200 dhe më pas $ 600 për shumicën e të rriturve vitin e kaluar. Presidenti Joe Biden ka në plan të shpërndajë edhe 1,400 dollarë të tjerë, duke e çuar çmimin e masës politike në 920 miliardë dollarë. Në Japoni çdo qytetar mori 100,000 ¥ (930 dollarë).
Pandemia theksoi modelin e vjetruar të disa shpenzimeve të mirëqenies sociale: të dizenjuara për t’iu përshtatur një punëtori me aftësi mesatare. Ajo ekspozoi cenueshmërinë në rritje të grupit të personave të jashtëm (outsiders) në tregun e punës dhe faktin se sa pak siguri pune dhe të ardhurash gëzojnë shumë punëtorë thelbësorë.
Çdo njeri ka nevojë për mbrojtje
Ekonomistët po argumentonin tashmë për nevojën për të mbuluar boshllëqet e mbulimit social, veçanërisht për një në katër punëtorë në vendet e OECD-së në punë të përkohshme ose të vetëpunësuar. Gjatë 20 viteve të fundit, tregjet e punës të vendeve të pasura janë bërë të polarizuara, me rritjen e përqindjes së vendeve të punës me aftësi të ulëta dhe me aftësi të larta dhe rënien e përqindjes së vendeve të punës me aftësi të mesme (dhe të ardhura).
Para goditjes së pandemisë, një pjesë më e madhe e njerëzve ishin në punë sesa në fund të shekullit, por shumica e rritjes ka qenë në punët me kohë të pjesshme. Sistemet burokratike e të ngurta të mirëqenies sociale po tregonin shenja tendosjeje edhe përpara se tronditja e pandemisë të bënte ndryshime që dukeshin politikisht të parealizueshme, por tashmë duken jo vetëm të mundshme, por të nevojshme.
Kur Margaret Hope, një kuzhiniere e vetëpunësuar në Kanada, humbi punën për shkak të Covid-19 marsin e kaluar, ajo menjëherë nisi të shiste pajisjet e kuzhinës. “Ja ku filloi sërish, – mendoi ajo, – nuk do të marr asgjë”. Pas rënies së çmimit të naftës në Alberta në vitin 2014, ajo nuk kishte marrë mbështetje nga qeveria dhe iu desh të mbyllej. Por kësaj here, paketa federale e shpëtimit mbuloi të vetëpunësuarit. Një përfitim mujor emergjent prej 2,000 C $ (1,580 $) u paguhet atyre që fituan më pak se 1,000 $ C në muaj midis marsit dhe shtatorit. Rreth 8.9 milionë kanadezë përfituan – gati një e katërta e popullsisë – me një kosto prej 82 miliardë dollarë.
Qeveritë e tjera ndërmorën veprime të ngjashme. Amerika, për herë të parë, zgjeroi sigurimin e papunësisë tek profesionistët e pavarur dhe kontraktorët. Disa e zgjeruan pagesën për lejet e punës në rast sëmundjeje. Interesi publik për një përfitim universal ishte shumë i qartë.
Ndjeshmëria e punëtorëve me përgjegjësi familjare u bë shumë e qartë kur u mbyllën shkollat. Në Amerikë, një në katër gra menduan të shkurtojnë orët e punës, ose ta lënë fare punën. Mbështetja publike për ofrimin më të mirë të kujdesit për fëmijët tani është më e gjerë. Pandemia vuri në tryezë politikat e kujdesit për fëmijët edhe në vendet ku ishin anashkaluar, për shembull në Itali.
Disa qeveri, si Australia, e bënë kujdesin për fëmijët falas për njëfarë kohe. Të tjera, përfshirë Portugalinë dhe Gjermaninë, siguruan para për kujdestarët dhe rritën përfitimet e fëmijëve. Zoti Biden ka propozuar një kredi përkohësisht të rritur për taksën e fëmijëve (një politikë e cila, do të përgjysmonte varfërinë midis fëmijëve). “Ekziston një angazhim i plotë… nga i gjithë grupi parlamentar demokrat për ta bërë këtë të përhershëm”, thotë Sherrod Brown, senator demokrat nga Ohajo.
Pandemia gjithashtu nënvizoi rëndësinë e shpejtësisë. Analiza nga McKinsey, një firmë këshillimore, sugjeron se “trojka” magjike e shtrirjes së ndihmës për sa më shumë njerëz, shpejt dhe me pak mashtrime, do të ishte e mundur vetëm për vendet me infrastrukturë të përparuar financiare, që do të thotë një përdorim i gjerë i pagesave dixhitale, ID-ve dixhitale dhe të dhëna të rëndësishme, si deklaratat e taksave, të lidhura me këto ID. Singapori, i cili i ka të tria, ishte në gjendje të dërgonte automatikisht subvencionet e pagave te punëdhënësit e kualifikuar.
Vendeve të tjera iu desh të zgjidhnin midis shpejtësisë ose ndalimit të mashtrimeve, fushëveprimit ose shpërndarjes së suksesshme, thotë Anu Madgavkar nga McKinsey. Zonja Hope, shefja e kuzhinës, u “befasua” kur mori paratë brenda disa ditësh pas aplikimit online. Shumica e kanadezëve i morën pagesat brenda një jave. Kanadaja më vonë vendosi të përcaktojë përparësinë e shpejtësisë dhe të bëjë pyetje (tani ka filluar t’u kërkojë marrësve të provojnë kualifikimin e tyre).
Teknologjia nuk ishte i vetmi faktor vendimtar në aftësinë e qeverive për të vepruar me gatishmëri; thjeshtimi i procesit të kërkesave u provua si i rëndësishëm, për shembull duke aplikuar teste të rënda mbi pasuritë ose vlerësimin e të ardhurave të partnerëve.
Të sigurosh që shpenzimet sociale janë fleksibël është thelbësore, jo vetëm në një pandemi. Kur njerëzit e dinë se ekziston një rrjet sigurie, ata mund të ndërmarrin rreziqe të shëndetshme, siç është fillimi i një biznesi. Nëse aplikantëve të rinj u duhen muaj për të marrë paratë e tyre, ata mund të jenë më pak të interesuar për punë që mund të humbasin më vonë. Shpërndarja e parave të shpejta në një krizë mund të ndihmojë konsumin e butë dhe të zvogëlojë tkurrjen ekonomike.
Veprimi i shpejtë ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm. Të ardhurat e familjeve në vendet e pasura ishin të mbrojtura kryesisht edhe kur PBB-ja ra. Në prill, ndërsa shkalla e papunësisë u trefishua, të ardhurat e disponueshme reale amerikane u rritën me 15.6%, një shifër rekord. Historia sugjeron se rritjet e shpenzimeve shoqërore rrallë zhduken plotësisht pas një krize. Pyetja është se çfarë do të mbetet.
Shumë shtete duket se e kanë kaluar kulmin e shpenzimeve të tyre emergjente sociale, pasi ekonomitë po nisin të rimëkëmben. Në vendet anëtare të OECD, skemat e ndërmarrjeve kanë rënë, nga një shumë e lartë prej 20% e të punësuarve në maj, në rreth 5% në shtator. Në Amerikë, kërkesat për përfitime të papunësisë janë përgjysmuar që nga kulmi i tyre, dhe shkalla e papunësisë ra nga 14.8% në prill në 6.3% në janar.
Disa programe mbështetëse, si skemat e Britanisë, janë zgjeruar. Të tjerë janë duke u tkurrur. Australia nuk po ofron më kujdes falas për fëmijët dhe “shtesa e saj e koronavirusit” do të përfundojë këtë muaj (për t’u zëvendësuar me një rritje më të vogël të përhershme prej 25 dollarësh australianë (20 $) në javë).
Ndryshime të tilla drejtohen kryesisht nga nevoja fiskale. Borxhi i qeverisë po grumbullohet duke arritur rekorde të larta. Të ardhurat nga taksat kanë rënë. Qeveritë shqetësohen se përfitimet e tepërta po i shkurajojnë njerëzit për të marrë punë me pagesë dhe mund t’i mbyllin ata në një “grackë mirëqenieje”.
E megjithatë, edhe para Covid-19, opinioni publik ishte zhvendosur në favor të shtetit dhe punëdhënësve, duke e hequr rrezikun nga individët. Në vitin 1987, 30% e britanikëve mendonin se përfituesit e mirëqenies nuk meritonin përfitime; deri në vitin 2019, kjo kishte rënë në 15%, sipas sondazhit vjetor të Qëndrimeve Sociale. Përqindja që mendon se përfitimet janë shumë të larta dhe shkurajojnë punën ka rënë nga 59% në vitin 2015, në 35%.
Në Amerikë, vetëm 56% e njerëzve të anketuar në vitin 2009 nga sondazhi Pew, ishin në favor të paketës stimuluese prej 800 miliardë dollarësh të administratës Obama, ndërsa 88% mbështetën paketën e administratës Trump prej 2 trilionë dollarësh vitin e kaluar. “Është mjaft e jashtëzakonshme sesi ka pasur gjithë këto shpenzime, madje edhe duke u dërguar njerëzve para të gatshme, dhe publiku në thelb i ka pranuar ato”, thotë Rachel Lipson, në Universitetin e Harvardit.
Pandemia duket se e ka zhvendosur mendimin nga shënjestrimi drejt universalizmit. Disa pretendojnë se, të marrë në përfundimin e tyre logjik, mësimet nga Covid-19 do t’i nxisin vendet të miratojnë të ardhurat bazë universale (UBI). Transferimet e drejtpërdrejta të parave, ndoshta edhe ato universale, mund të bëhen një pjesë standarde e mjeteve emergjente të qeverive. Por asnjë vend nuk po mendon seriozisht për një skemë të plotë UBI.
Kur erërat e ndryshimit zhvendosen
Më i mundshëm është rishikimi i rolit të qeverive në vlerësimin e rreziqeve, veçanërisht ato që siguruesit i quajnë “të pasigurueshme”. Pandemia ka demonstruar shkallën në të cilën qeveritë mund të zbusin goditjet. Në dy ditët në prill, kur grupi më i madh i amerikanëve morën çeqet stimuluese, shpenzimet nga familjet me të ardhura të ulëta u rritën me 26 për qind, në nivelet thuajse të para pandemisë, sipas studimit nga Raj Chetty i Universitetit të Harvardit dhe kolegëve të tij. Disa ekonomistë kanë argumentuar se pandemia ka treguar pse bujaria e përfitimeve duhet të lidhet me gjendjen e ekonomisë dhe mirëqenia duhet të veprojë si një amortizues kur kohët janë më të vështira.
Një shtet i rimëkëmbur i mirëqenies sociale mund të sigurojë fleksibilitet të mjaftueshëm për të nxitur punën, por gjithsesi të ndërhyjë kur godet fatkeqësia. Ai duhet të investojë në kapital njerëzor. Pandemia ka përshpejtuar ndryshimet e vazhdueshme në strukturën e ekonomisë.
“Vetëm ndihmat financiare nuk do të jenë të mjaftueshme për të luftuar goditjet në të ardhmen”, paralajmëron Anton Hemerijck i Institutit të Universitetit Europian. “Duhet investuar në kujdesin për fëmijët, në aftësi, në shëndetësi, edhe në njerëz, nëse duam që në të ardhmen, shteti i mirëqenies sociale të jetë i suksesshëm.”
Ndikimi i ndryshimit të klimës, risive teknologjike dhe zhvendosjeve demografike në vendet e punës dhe jetesën është i vështirë të parashikohet. Por përçarja e mëtejshme shoqërore është pothuajse e sigurt. Përgatitjet më të mira duhet të fillojnë sa më shpejt./Monitor